Zoja dhe Shkurta nuk janë vetëm personazhe të një relacioni të vështirë vjehërr-nuse. Përditshmëria e tyre është dhembja e një humbjeje që i bën bashkë të dyja, por në të njëjtën kohë edhe i ndan. Humbja në fjalë është biri i Zojës, burri i Shkurtës, një nga mijëra personat që u zhdukën gjatë luftës së fundit. Me peshën agonizuese të humbjes, që ndihet gjatë dialogëve, drama “Gishti” është një kronikë për pamundësinë për të vazhduar tutje për dy femra shqiptare.
Krijim i dramaturges nga Prishtina, Doruntina Basha, ky tekst kishte pasur premierën botërore në teatrin “Bitef” në Beograd, në dhjetor të vitit 2012. Nën regjinë e Ana Tomoviqit, kjo shfaqje ishte vlerësuar si goxha e suksesshme në teatrot e vendit fqinj.
Shtatë vjet më vonë, “Prst” (“Gishti”) do të kthehet sërish para publikut serb. Kësaj radhe në qytetin e Nishit me aktoret Jasna Gjuriçiq dhe Milica Stefanoviq. Dyshja e aktoreve është po ajo me të cilat u inskenua kjo shfaqje në kryeqytetin serb.
“Kompleksiteti i lidhjes mes vjehrrës dhe resë që jetojnë së bashku është tema e dramës që do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar të Nishit të enjten më 10 tetor”, ka njoftuar mediumi serb “juznevesti.com”.
Dramaturgia Doruntina Basha e ka vlerësuar bashkëpunimin me regjisoren Ana Tomoviq, për të cilën ka thënë se ka lexuar dhe hulumtuar shumë për temën dhe kontekstin kosovar.
“Ka qenë një bashkëpunim jashtëzakonisht i frytshëm dhe konstruktiv. Kemi diskutuar me të shpesh për çështje të ndryshme rreth tekstit, luftës, personave të zhdukur në Kosovë, si dhe mënyrës se si familjet e personave të zhdukur në Kosovë vazhdojnë të jetojnë në dhembjen e pritjes”, ka thënë ajo për “Kohën Ditore”. “Jam ndarë shumë e kënaqur atëherë dhe gëzohem kur marr vesh që shfaqja po e vazhdon jetën edhe tani, 7 vjet pas premierës”. Në këtë inskenim, “Gishti” është produksion i “Heartefact Fund”, por teksti i Bashës ndër vite ka udhëtuar jo vetëm në shtetet e rajonit, por edhe më gjerë. Teksti ishte shkruar në vitin 2011, por ai ishte rezultat i një studimi që autorja e kishte bërë qysh në vitin 2004 me familjet e personave të zhdukur.
“Për shkak të temës që trajton, pra temën e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë, shfaqja shpesh ka udhëtuar nëpër tërë rajonin dhe është shfaqur në teatro të ndryshme për publik të ndryshëm, si pjesë e festivaleve apo, ndonjëherë, edhe si pjesë e manifestimeve për përkujtimin e personave të ndryshëm apo edhe diskutimin për këtë problematikë që e ka prekur jo vetëm Kosovën, por edhe disa shtete të tjera të rajonit, si p.sh Bosnjë-Hercegovinën apo edhe Kroacinë”, ka thënë Basha.
Tri javë më parë, më 19 shtator, “Gishti” pati edhe premierën amerikane në teatrin “Venus Theater Company” në Laurel të Marylandit (SHBA). Kësaj i kishte paraprirë botimi i dramës nga “Egret Acting Editions” vitin e kaluar.
Kjo shfaqje, nën regjinë e Debora Randallit dhe me Amy Rhodes (Zoja) dhe Catherine Gillbert (Shkurta) në rolet kryesore, është komentuar në disa portale teatrore të Washington DC.
“Dramaturgia Doruntina Basha ka marrë një narrativë të thjeshtë – dy gra që pezullojnë rreth subjektit të humbjes potenciale të më të dashurit – dhe është shpërfaqur me një zhbirim të thellë emocional”, ka shkruar portal “thetrebloom”.
E për shkrimtaren amerikane Hannah Berk, fuqia më e madhe e shfaqjes është evokimi i përthellë i klaustrofobisë së brendshme. Ajo ka thënë se lufta në Kosovë, e cila pati 13 mijë të vrarë e të zhdukur, është “rezervuar që pluskon gjatë gjithë shfaqjes, por nuk përmendet në mënyrë eksplicite”.
“Megjithatë, edhe pa e njohur këtë prapavijë, ky tregim mund të luhet në çdo shtëpi ku dy gra merren me humbjen e përbashkët”, ka shkruar Berk në “dctheatrescene”.
Kurse për vetë autoren, Doruntina Basha, premiera në Amerikë është një sukses i jashtëzakonshëm.
“Fillimisht, kur e kam shkruar tekstin, nuk e kam imagjinuar që po e nis një rrugëtim të tillë, e aq më pak që teksti do të arrijë të inskenohet edhe në SHBA. E për më shumë, më duket shumë e rëndësishme që një tregim Kosove po tregohet në një teatër për publikun amerikan, duke e bërë kështu dramën e luftës kosovare më të prekshme për shikuesit përtej oqeanit”, ka thënë ajo.
Ndryshe, “Gishti” prej premierës së parë në Beograd ka pasur një odisejadë të gjatë shfaqjesh në rajon dhe Evropë. Kështu, në vitin 2013 shfaqja ishte dhënë premierë në Teatrin Shqiptar të Shkupit nën regjinë e Agon Myftarit.
Një vit më vonë, teksti ishte vënë në skenë në teatrin “Sartr” të Sarajevës, nën regji të Sabrina Begoviq-Çoriq, si dhe në Vjenë, në teatrin “Hundstrum”, si pjesë e triptikut “Balkan Requiem” nën regji të Stevan Bodrozha.
Premiera në Kosovë ishte dhënë në TKK, në vitin 2015, nën regjinë e Erson Zymberit, derisa dy vjet më vonë “Gishti” u dha premierë edhe në Tiranë në teatrin eksperimental “Kujtim Spahivogli” nën regjinë e Bojana Laziqit.
E në qershor të këtij viti, shfaqja pati edhe premierën italiane nën regjinë e Lenoardo Lidit në kuadër të “Festival delle Colline Torinesi” në Torino.
“Është një rrugëtim i gjatë dhe shumë interesant, i cili ka sjellë përshtypje të ndryshme në të gjitha vendet ku është inskenuar shfaqja”, ka thënë Basha, e cila ka paralajmëruar se drama e saj do të ketë edhe një premierë tjetër në Napoli.
“‘Gishti’ do të ketë edhe një premierë në Napoli në shkurt të vitit 2020, në ‘Teatro Stabile’, me regji të Carlo Sciaccaluga”.
E lindur më 1981 në Prishtinë, Doruntina Basha ka diplomuar për dramaturgji në Fakultetin e Arteve, ndërkaq ka një master në Humanistikë nga programi “Erasmus Mundus” në Skoci, Itali dhe Francë.