Fjalë Kyçe

Gjenden dëshmi “të forta” për ekzistencën e forcës së re natyrore

Gjenden dëshmi “të forta” për ekzistencën e forcës së re natyrore

Duke nisur nga magnetet që ngjiten në frigoriferë e deri te hedhja e topit në kosh – forcat e fizikës luajnë rol të rëndësishëm në jetët tona të përditshme
Fizika i njeh katër forca natyrore dhe ato janë: graviteti, forca elektromagnetike dhe forca e dobët dhe e fortë. Mirëpo shkencëtarët tani pretendojnë të kenë zbuluar tregues për ekzistimin e forcës së pestë, deri më tani të panjohur, natyrore.

Rezultatet për një mundësi të tillë burojnë nga një laborator në periferi të Chicagos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq pretendohet se kjo forcë është rezultat i bashkëveprimit të grimcave.

Forca e gravitetit, për shembull, i shtyn gjërat që të bien në tokë dhe të mbesin aty.

Nga Këshilli britanik për Shkencë dhe Teknologji kanë bërë të ditur se rezultatet e një hulumtimi më të fundit kanë “ofruar dëshmi të forta për ekzistencën e një tjetër force të re natyrore të llojit subatomik të grimcave”.

Megjithëkëtë, në kuadër të eksperimentit “Muon g-2”, ende nuk janë ofruar rezultate qartësuese. Aktualisht gjasat janë 1 me 40.000 që të bëhet fjalë për një gabim statistikor, që përkon me indeksin e mundësisë prej 4.1 sigma. Në mënyrë që shkencëtarët të jenë të sigurt se nuk bëhet fjalë për rastësi, por për zbulim, sigma duhet të jetë të paktën 5.

Zbulim ngacmues

“Kemi zbuluar së bashkëveprimi i një lloji grimce, e cila quhet mion, nuk është në përputhje me modelin standard, teorinë e pranuar gjithmbarshëm për atë se si sillen grimcat e universit”, ka thënë për BBC-në kryesuesi i eksperimentit, profesori britanik Mark Lancaster. “Ky është një zbulim shumë ngacmues, për shkak se ngërthen mundësinë për shfaqjen e një ligji të ri të fizikës, të grimcës dhe të forcës, të cilën shkenca deri më tani nuk e ka ditur”, ka shtuar shkencëtari nga Universiteti i Manchesterit.

Ky zbulim është i fundit nga një gamë e gjerë rezultatesh të eksperimenteve, të cilat fizikanët i kanë ndërmarrë gjatë kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoni, si dhe në stacionin e madh në kufirin midis Zvicrës dhe Francës.

Profesori Ben Alanch nga Universiteti i Cambridges, i cili nuk ka marrë pjesë në këtë eksperiment, ka thënë se “intuita i thotë se në ardhje është diçka e madhe”.

“Gjatë gjithë karrierës sime i kam vëzhguar forcat dhe grimcat që i njohim, ndërsa në këtë moment nuk po mundem as të fle nga ngazëllimi”, ka shtuar ai.

Eksperimenti është ndërmarrë në laboratorin “Fermilab”, i cili ndodhet në shtetin amerikan Illinois, ndërkaq në kuadër të tij shkencëtarët i kërkojnë indikacionet e ekzistencës së një fenomeni deri më tani të pazbuluar të sjelljes së grimcave të quajtura mion.

Bota përreth përbëhet prej një game të gjerë grimcash. Disa prej tyre janë edhe më të vogla sesa atomet dhe njihen si grimca subatomike. Ato përbëhen megjithatë nga grimcat edhe më të vogla, të cilat mund të shkëputen në akoma më të vogla.

Grimcat më të vogla të mundshme quhen grimca elementare. Mioni ndërkaq është i ngjashëm me elektronin, porse është 200 fish më i rëndë.

Eksperimenti “Muon g-2” i dërgon grimcat në një unazë me diametër 14 metra, ndërkaq më pas e kyç edhe fushën magnetike.

Sipas ligjeve të njohura të fizikës dhe teorisë standarde, shkencëtarët kanë pritur që mionët të dridhen bazuar në një frekuencë të caktuar. Mirëpo është konstatuar se ato dridhen shumë më shpejt sesa që është pritur.

Arsyeja e mundshme për një gjë të tillë është pikërisht ekzistenca e një force të pestë, e cila deri më tani nuk ka qenë e njohur për fizikën.

Në vend të kësaj, shkencëtarët kanë zbuluar se dridhja shumë më e shpejtë e mionëve mund të ndodhë shkaku i forcës së pestë të natyrës, në një risi të plotë për shkencën. Ende nuk dihet se çfarë mund të bëjë forca e re potenciale, përveçse të ndikojë në grimcat mion.

Fizikanët teorikë besojnë se po kështu mund të jetë e lidhur edhe me grimcën e pazbuluar subatomike.


Çelësi i mistereve

Ekzistojnë më shumë se një koncept se çfarë kjo grimcë e pretenduar do të mund të ishte.

Fizikanët, të cilët kanë punuar në eksperimentin LHCb, muajin e shkuar i kanë publikuar rezultatet që mund të shpien drejt sqarimeve.

“Po bëjmë përpjekje të shumta që nga njëri prej këtyre eksperimenteve të reja të fitojmë dëshmi se kjo gjë është përnjëmend diçka e re”, ka thënë Mitesch Patel nga Kolegji Mbretëror i Londrës, i cili është i përfshirë në hulumtime. “Për këtë do të na duhen më shumë të dhëna dhe hulumtime, të cilat shpresojmë se do të na ofrojnë dëshmi se këto efekte janë të përnjëmendta”, ka shtuar ai.

Profesori Alanach e ka emërtuar në forma të ndryshme forcën e mundshme të pestë – si “forca e shijes”, “superfuqia e familjes së tretë” dhe si “B minus L2”.

Përveç forcës së gravitetit dhe asaj elektromagnetike (e cila është përgjegjëse për elektricitet dhe magnetizëm), ekzistojnë edhe forca e dobët dhe e fortë, të cilat përcaktojnë se si sillen grimcat subatomike.

Forca e re e pestë do të mund të ndihmonte në zbërthimin e enigmave të tjera të mëdha mbi gjithësinë, të cilat i kanë munduar shkencëtarët gjatë dekadave të fundit. Për shembull, evidentimi i përshpejtimit të zgjerimit të universit konsiderohet si një fenomen misterioz, i njohur si energjia e errët.

Megjithëkëtë, disa shkencëtarë kanë sugjeruar më herët se pikërisht kjo do të mund të ishte dëshmi për forcën e pestë.

“Është zbulim mahnitës dhe ka potencial që ta rrëzojë kokë e këmbë fizikën siç e njohim. Kemi një sërë misteresh, të cilat kanë mbetur të pazbërthyera dhe kjo do të mund të na ofronte përgjigje kyç për zbardhjen e tyre”, ka thënë për BBC-në, doktorantja Megie Aderin-Pokok.