40 mijë euro në ditë është paraparë të gjobitet Kompania ‘Bechtel Enka’ për çdo ditë që vonohet në finalizimi i autostradës “Arbën Xhaferi”.
Por, në bazë të klauzolës 8.7 të kontratës, të siguruar nga ‘Kohavisioni’ thuhet se vlera e gjobës nuk mund ta kalojë shumën e 10 përqindëshit të kontratës.
Meqenëse, ‘Bechtel Enka’ nuk i ka përfunduar punimet më 31 dhjetor 2018, shuma e deritashme e mundësisë së gjobitjes, është rreth 600 mijë euro.
Në Institutin Demokratik të Kosovës, Diana Metushi -Krasniqi, ka thënë se shuma mund të tërhiqet në mënyrë automatike.
Por, shuma që shteti i Kosovës duhet të paguajë për vonesat në pagesa, është trefish më e madhe – 133 mijë në ditë apo 4 milionë euro në muaj.
Si përfundim, kjo kishte arritur shumën e 53 milionë eurove.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në emisionin Puls të KTV-së, ka thënë se do të zbatohet çkado që është e përcaktuar në kontratë, por duke mos dhënë më tepër detaje.
Megjithëkëtë, kontrata përmban klauzola shtesë, të cilat arsyetojnë vonesat e kompanisë.
Metushi- Krasniqi ka treguar se këtu përfshihen kushtet e rënda të punës nga dukuritë natyrore.
Qytetarët e përkrahin idenë që kompania të dënohet për vonesat.
‘Kohavisioni’ ka provuar të marrë përgjigje edhe nga kompania ‘Bechtel Enka’, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Kontrata e parë për autostradën ka qenë 42 muaj, por më pas i ishte shtuar edhe një aneks- kontratë për shtyrjen e kontratës deri më 31 dhjetor 2018.
KTV-ja ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga kompania kontraktuese, për afatin e përfundimit të punimeve si dhe gjobës, por as ajo nuk është përgjigjur.