Fjalë Kyçe

Gjuajtën me armë në aheng familjar dhe sulmuan policët, 2 vite e 6 muaj burgim me kusht ndaj të akuzuarve

Gjuajtën me armë në aheng familjar dhe sulmuan policët, 2 vite e 6 muaj burgim me kusht ndaj të akuzuarve

Të akuzuarit Mexhid Neziri dhe Lulzim Zuka janë shpallur fajtor dhe dënuar me nga 1 vit burgim me kusht për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, kurse për këtë vepër të fundit, i akuzuari Shpëtim Murturi u dënua me 6 muaj burgim.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga gjykatësja Anita Krasniqi-Prenaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarve Neziri dhe Zuka secilit veç e veç për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” i është shqiptuar dënim me 8 muaj burgim me kusht, ndërsa për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, 7 muaj dënim me burgim me kusht, ashtu që ndaj tyre është shqiptuar dënim unik nga 1 vit burgim me kusht.

Ky dënim nuk do të ekzekutohet, nëse të njëjtit nuk do të kryejnë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej dy vitesh.

Ndërsa, të akuzuarit Murturi për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” i është shqiptuar dënimi me 6 muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk do të kryejë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej 1 viti.

Po ashtu, sipas aktgjykimit, secili prej të akuzuarve obligohet të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë paushallin gjyqësor në shumë prej 25 euro, ndërsa shumën prej 35 euro për fondin e kompensimit të viktimave.

Gjykatësja i ka udhëzuar palët e dëmtuara në kontest juridiko civil, ndërsa tha se kundër këtij aktgjykimi lejohet ankesa në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 8 dhjetor 2021, të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë për veprat penale të cilat iu viheshin në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 janar 2018, nga prokuroria Themelore në Prishtinë, Mexhid Neziri dhe Lulzim Zuka akuzoheshin se më 27 shtator 2014, përballë ngrohtores “Termokos” në Prishtinë, gjatë një ahengu familjar, kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe pasurinë.

Në aktin akuzues thuhet se nga pakujdesia, e duke vepuar me mendjelehtësi kanë gjuajtur me armë zjarri në shkallët e restorantit “PPM”, me ç’rast zyrtarët policorë të stacionit policor Jugu në Prishtinë në vendin e ngjarjes kanë gjetur nëntë gëzhoja, të dy armëve të ndryshme.

Me këtë, Neziri dhe Zuka akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm“, nga neni 365, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se Neziri, Zuka dhe Shpëtim Murturi në datë, kohë dhe vend të njëjtë, si në dispozitivin e parë, i kanë sulmuar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, me ç’rast Remzi Shala dhe Adnan Muriqi, zyrtarë policorë të stacionit policor Jugu në Prishtinë, kanë pësuar dëmtime të lehta trupore.

Me këtë, Neziri, Zuka dhe Murturi në bashkëkryerje akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.