Drejtori i të ashtuquajturës, Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq qëndroi të martën në Zveçan, ku u takua me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Takimi ka qenë i mbyllur për media.
Më pas, Gjuriq njoftoi se ka biseduar për problemet me serioze që ballafaqohet populli serb në Kosovë.
Ai vuri në dukje se janë intensifikuar përpjekjet “nga jashtë dhe nga brenda” të thyhet uniteti institucional dhe politik i serbëve në Kosovë, në mënyrë që “populli serb të dobësohet përmes metodave të ndryshme të presionit”.
Gjatë takimit, përmes linjës telefonike është kyçur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka përcjellur mesazhin e bashkimit dhe sesi të ruhet paqja dhe qetësia gjatë periudhës së ardhshme.
Gjuriq gjithashtu njoftoi se në takim me përfaqësuesit serbë të Kosovës është diskutuar edhe për 141 projekte të cilat Serbia po i realizon në Kosovë që përfshijnë, shkolla të reja, rrugë dhe spitale.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se serbët e Kosovës dëgjojnë çdo ditë “kërcënimet e pakuptueshme prej përfaqësuesve politikë në Prishtinë mes të cilave edhe për bashkimin e Mitrovicës” duke shtuar se “ qëllimi nuk është bashkimi ekonomik i Mitrovicës por pastrimi etnik i serbëve nga veriu i Mitrovicës”.
“Ne ramë dakord të qëndrojmë unik, siç edhe dëgjuam nga presidenti Vuçiq, pasi shteti i Serbisë është i fuqishëm dhe është me ne” tha Rakiq.