Gjykata Ekonomike e Prishtinës ka vendosur ta nxjerrë në shitje fabrikën e llamarinës së zinkuar në Vushtrri “Llamkos” nëpërmes ankandit publik. Ofertuesit kanë kohë 60 ditë t’i paraqesin ofertat e tyre. Punëtorët frikësohen se do të mbesin pa punë, ndërkohë që ata janë kreditori më i madh me rreth 2.5 milionë euro dhe synojnë fabrikën “ta bëjnë” të tyre, shkruan Gazeta “Zëri”.
Ofertuesi i cili do të ofrojë më shumë para do të jetë pronar i ri i fabrikës së llamarinës së zinkuar në Vushtrri, pasi Gjykata Ekonomike në Prishtinë ka nxjerrë në shitje fabrikën më të madhe nëpërmes ankandit publik. Kjo është herë e tretë që “Llamkosi” del në shitje, ndonëse punëtorët, rreth 500 sa janë, kanë kërkuar nga institucionet e Komunës së Vushtrrisë që fabrika të funksionalizohet dhe punëtorët të kthehen në punë.
Sindikalistët e “Llamkos”-it kanë kërkuar që fabrika të mos shitet dhe të mos i ndryshohet destinimi. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Llamkos”-it, Ragip Hasani, ka thënë se fabrika mund të shitet brenda 60 ditësh.