Fjalë Kyçe

Gjykata refuzon ndalimin e librit të ish-këshilltarit, Trump: Bolton do ta paguajë

Gjykata refuzon ndalimin e librit të ish-këshilltarit, Trump: Bolton do ta paguajë

Një gjykatës amerikan ka refuzuar sot kërkesën e administratës së presidentit Donald Trump për ndalimin e publikimit të librit të kujtimeve të ish-këshilltarit të shkarkuar të sigurisë John Bolton.

Departamenti amerikan i Drejtësisë argumentonte se libri nuk ishte kaluar në procesin e duhur të miratimit.

Por gjykatësi Royce Lamberth në Uashington tha se megjithse Bolton po “luante” me sigurinë e SHBA duke ekspozuar vendin ndaj dëmeve të mundshme, qeveria nuk kishte paraqitur prova bindëse për këtë.

Në kujtimet e tij Bolton përshkruan një pamje të presidentit, vendimmarrja e të cilit kushtëzohet nga dëshira për t’u rizgjedhur në presidencialet e nëntorit 2020.

Kurse Trump ka thënë se libri është i ndërtuar me “gënjeshtra dhe histori të sajuara”.

Në vendimin e publikuar sot Lambert shkruante: “Duke marrë përsipër publikimin e këtij libri pa autorizimin final të agjencive të inteligjencës, Bolton mund t’i shkaktojë dëme vendit, por sot në epokën e internetit edhe disa kopje që hyjnë në qarkullim e shkatërrojnë përfundimisht konfidencialitetin. Prandaj me pjesët e publikuara tashmë në media dëmi është bërë dhe status-quo nuk mund të rivendoset”.

Pak pas vendimit presidenti Trump tha se Bolton ka shkelur ligjin duke publikuar informacione të klasifikuara.

“Ai do ta paguajë shtrenjtë këtë, siç kanë bërë të tjerë para tij. Kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë”, shkroi Presidenti.