Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se ka ftuar për intervistim për krime lufte ish-komandantin e përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi. Kjo zyrë thotë se ka autoritet për ta siguruar praninë e Selimit në Hagë. Gazeta Express pak më herët ka raportuar për ftesën ndaj figurës kryesore në hierarkinë e UÇK’së.
Vetëm pak orë pasi Gazeta Express ka raportuar se Sylejman Selimi më 9 janar 2019 do të intervistohet në Hagë nga një prokuror i Specializuar për Kosovën, ZPS, duke komentuar për rastin në fjalë, ka thënë se ka autoritet të sigurojë praninë e palëve që mund të jenë pjesë e Tribunalit Special.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka autoritetin që, mes tjerash, ta kërkojë praninë e të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve dhe t’i marrë në pyetje ata, të mbledhë dhe të hulumtojë të dhëna dhe të marrë vendime për fillimin, vazhdimin ose përfundimin e hetimeve për rastet kriminale”, ka thënë zëdhënësi i ZPS’së, në një përgjigje me e-mail, duke komentuar ftesën ndaj ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK’së.
Tutje, zëdhënësi Christopher Bennett ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar është e vetëdijshme se individë apo përfaqësuesit e tyre kanë njoftuar se kanë marrë urdhra për paraqitje në Hagë të disa ish-eksponentëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për intervistim në Zyrën e Prokurorit Special.
“Sidoqoftë, Zyra e Prokurorit Special nuk jep të dhëna për statusin e hetimeve për arsye ligjore, profesionale dhe etike”, ka thënë tutje Bennett për Gazetën Express.
Të enjten pasdite, Gazeta Express ka raportuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ftuar për intervistim në Hagë edhe ish-komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi.
Për gjoja krime lufte, Selimi, në Hagë, do të intervistohet më 9 janar 2019, raporton Gazeta Express, përmes burimeve të afërta me procesin.
Ftesa, Selimit i është dërguar qysh në fillim të dhjetorit të këtij viti, sikurse edhe një pjese tjetër të ish-komandantëve të UÇK-së, dhe figurave tjera të rëndësishme të këtij grupimi ushtarak për çlirimin e Kosovës.
Avokati i Selimit dhe familjarë të tij nuk kanë folur për Gazetën Express rreth kësaj ftese.
Pak minuta pas raportimit, ish-avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi, kishte mohuar pohimet e artikullit, duke harruar se ish-ambasadori i Kosovës në Tiranë muaj më parë e ka liruar atë nga mbrojtja ligjore.
Vetë Sylejman Selimi, me anë të një letre që e kishte dërguar nga burgu, për Gazetën Express, në nëntor të këtij viti – si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Supreme kur refuzoi kërkesën e tij për lirim me kusht -, e kishte njoftuar avokatin Tomë Gashi se qysh atë ditë e tutje nuk e ka më përfaqësues ligjor, pasi siç thotë ai procesi kundër tij është i montuar nga politikanët vendës dhe ndërkombëtarë.
Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, që pas luftës, për një kohë ishte edhe komandat i përgjithshëm i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, e më pas edhe i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe ambasador i Kosovës në Tiranë, aktualisht ndodhet në burg në Kosovë.
Atij, gjatë kohës sa po shërbente si ambasador në Tiranë, EULEX-i i ngriti aktakuza për krime lufte, në dy rastet e njohura si “Drenica” 1 dhe 2.
Në fund të dy proceseve, ish-komandanti i përgjithshëm i FSK-së u dënua më 14 vjet dënim unik, për të dy rastet – për krime lufte ndaj popullatës civile.
Gjykata Supreme e kishte kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, rast në të cilin Gjykata e Apelit, Sylejman Selimit i kishte vërtetuar 6 vite burgim për “tortura ndaj civilëve”.
Ndërkohë, Supremja, në shtator të 2018, për të dytën herë Sylejman Selimit i vërteton dënimin unik prej 7 vite burgim për krime lufte, në Drenica 2.
Përveç Selimit, nga grupi “Drenica”, Haga ka ftuar për intervistim edhe dy ish-komandantë tjerë të zonës operative të UÇK-së në Drenicë, raporton Gazeta Express. Këtë thirrje për gjyq, tashmë e ka konfirmuar edhe vetë Sami Lushtaku, përmes avokatit të tij.
Sylejman Selimi është emri i 10-të i konfirmuar me burime nga Gazeta Express, i ish-pjesëtarëve të UÇK-së që në janar të vitit të ardhshëm do të udhëtojnë në Hagë, pas thirrjeve për intervistim që u ka bëra Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën.
Përveç ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Specialja deri më tash, nga figurat kyç të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ftuar për intervistim edhe ish-kryetarin e Gjykatës Ushtarake të UÇK’së dhe disa ish-komandantë të njohur zonash operative të Drenicës dhe Llapit.