Fjalë Kyçe

Greqia gati për t’i hequr masat e izolimit

Greqia gati për t’i hequr masat e izolimit

Greqia është duke u përgatitur për t’i larguar masat e izolimit. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, do të mbajë një video-konferencë për të diskutuar për mënyrën më të mirë të kthimit në normalitet, raporton gazeta “The Guardian”.

Largimi i masave kufizuese pritet të fillojë më 4 maj, kur dyqanet e vogla, sallonet e flokëtarëve dhe sallonet e bukurisë do ta rifillojnë punën. Një ndihmës i lartë qeveritar i tha gazetës britanike se hapja e salloneve të flokëtarëve është vlerësuar si masë shumë e nevojshme psikologjike pas gati dy muajve të izolimit.

“Njerëzit nuk mund vetëm të urdhërohen. Ata gjithashtu kanë nevojë për përkrahje psikologjike”, tha ky ndihmës, transmeton Gazeta Express.

Qeveria e qendrës së djathtë mori masa të rrepta dhe të hershme kundër përhapjes së koronavirusit, duke i mbyllur shkollat më 10 mars për shkak të frikës nga stërngarkimi i sistemit shëndetësor. Pas disa ditëve, u mbyllën edhe restorantet, kafenetë dhe dyqanet.

Deri më tani, Greqia i ka regjistruar vetëm 2,490 persona të infektuar dhe 130 viktima të koronavirusit.