Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë nuk po arrijnë t’i bindin mësimdhënësit dhe kirurgët që t’i ndalin grevat pavarësisht premtimeve të ndryshme, shkruan sot Gazeta Zëri.
Mosndryshimi i Ligjit për Paga dhe mosmiratimi i tij në Kuvendin e Kosovës pritet ta përkeqësojë edhe më shumë situatën, kjo pasi që mësimdhënësit kanë paralajmëruar vazhdim të grevës, ndërsa Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka paralajmëruar bojkot të përgjithshëm të punës.
Pas ndryshimeve të fundit të cilat janë bërë në Projektligjin për Paga, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka marrë vendim që greva e mësimdhënësve të vazhdojë edhe më tej.
SBASHK-u ka vendosur që greva e mësimdhënësve të vazhdohet deri në rritjen e koeficientit prej 30 për qind.
Në anën tjetër, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme ka bërë apel që Ligji për Paga të kalojë sot në Kuvendin e Kosovës, përndryshe sipas tyre të gjitha institucionet publike shëndetësore do të bojkotojnë punën.