Një burrë është dënuar me burg për vetëm dy muaj, pasi kishte hedhur “helm” në pijen e gruas së tij sa herë që i përgatiste asaj një të tillë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kishte qenë vetë Therese Kozlowski ajo që kishte ngritur dyshimin sepse sëmurej sa herë që burri i saj Brian bënte kafe për të.
Kështu, ajo vendosi kamera në shtëpinë e tyre në Macomb Township, Michigan dhe e pa se ai po i hidhte atë që doli të ishte antihistamine në pije.
Një gjë e tillë thuhet se kishte ndodhur që nga viti 2018 ndërsa ata prisnin që të ndodhte divorci.
Therese ka rrëfyer se sa herë pinte kafenë e përgatitur nga burri i saj, ajo ndjehej e lodhur, e sëmurë dhe nuk kishte pamje të qartë dhe beson se burri i saj po përpiqej ta vriste.
Ajo tha se në një rast pothuajse e zuri gjumi në timonin e makinës së saj.
Duke folur për momentin kur pa burrin e saj duke “helmuar” kafenë e saj, Therese tha: “Ndjeva një ftohtësi të tmerrshme në trup, sikur të isha sulmuar nga një grabitqar i rrezikshëm, por në këtë makth, grabitqari ishte Brian”.