Grupi Parlamentar i AAK-së, sot ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend me theks të posaçëm, Taksën në produket e Serbisë dhe të Bosnje Hercegovinës.
Deputetët e AAK-së kanë kërkuar nga lidershipi i vendit, Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri, që të bëjnë të pamundurën që t’i sqarojnë partnerët ndërkombëtarë, se pezullimi eventual i kësaj takse do të kishte pasoja të mëdha për vendin dhe për vetë procesin e dialogut me Serbinë, njofton kumtesa,
“Ne jemi të përcaktuar për dialog, por kërkojmë më ngulm që Qeveria, Kryeministri dhe Ekipi Negociator të mos pranojnë kurrfarë kushtesh për fillimin e dialogut me Serbinë. Në rast se vendosen kushte për fillimin e këtij dialogu, Kosova i ka 1001 arsye që të vendos kushte për fillimin e tij”.
Po ashtu në njoftim thuhet se, Grupi Parlamentar i AAK-së konsideron se taksa e vendosur në produktet serbe nuk mund të hiqet deri sa Serbia të mos heqë dorë nga agresioni politik, ekonomik e diplomatik ndaj Kosovës, dhe derisa të mos arrihet marrëveshja gjithpërfshirëse, ligjërisht obligative që do të rezultojë me njohje të ndërsjellë.