Fjalë Kyçe

Gucati tregon se a i është premtuar rritje e pensioneve për veteranët

Gucati tregon se a i është premtuar rritje e pensioneve për veteranët

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka folur për gjendjen aktuale të veteranëve të vërtetë, pensionet e tyre dhe “veteranët e rrejshëm”.

Gucati në Koha.net, ka folur në lidhje me vendimin që së shpejti pritet ta marrë Gjykata, për ndalimin apo jo të pagesave të përfituesve të dyshimtë të statusit të veteranit. Ai tha se pret vendim pozitiv, në të kundërtën, do të ketë protesta.

“Jemi njoftuar që Gjykata së shpejti pritet të marrë një vendim. Ne kemi reaguar për këtë sepse në mesin e atyre mbi 19 mijë veteranë që flitet se janë të rrejshëm, ka edhe ushtarë të mirë, familje të mira. Arsyeja ishte kjo, që mos të ndalen pagat të gjitha përnjëherë, 19 mijë, por të bëhet verifikimi një nga një dhe t’u ndalet atyre ku dyshohet se kanë bërë shkelje të ligjit”, tha Gucati.

Verifikimi i tillë, sipas Gucatit, është shumë i lehtë.

“Të gjitha lëndët, apo aplikacionet janë brenda. Sa kam dëgjuar nga Gazmend Syla, Prokuroria i ka marrë ato lëndë dhe mundet që të gjitha t’i kontrollojë dhe t’i gjejë ku janë gabimet e kush janë të rrejshëm”, tha ai.

Gucati ka thënë se presin që pagesat e veteranëve të mos ndalen.

“Nuk është mirë që Prokuroria të luajë me ndjenjat e veteranëve të luftës, ata të vërtetët. Nëse ndalen këto paga, ku në mesin e tyre ka djem të mirë, e edhe emri i Komandantit tim e shumë shokëve, atëherë ne do të dalim në protesta. Mendoj që Prokurori i rastit, po do vet të destabilizojë vendin”, tha ai.

Kryetari i OVL-UÇK, tha se nuk ndihet i fyer pse tani trajtohet njëjtë sikur ata të cilët ndoshta nuk kanë qenë fare në luftë, ose edhe kanë ikur, përkundrazi, siç u shpreh ai, të fyer duhet të ndihen ata që kanë hyrë në mesin e tyre dhe kanë bërë shkelje të tilla.

“Unë dhe shokët e mi e ndjejmë veten mirë sepse kemi dhënë kontributin për vendin tonë. Ata matrapazë, që tani po quhen veteranë të rrejshëm, është fyerje e madhe që hyrën në mesin tonë dhe marrin pagat pa djersë”, tha Gucati.

Gucati ka thënë se me aq sa është informuar, deri tani rreth 3 persona, i kanë dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit certifikatat e tyre të falsifikuara si veteranë të UÇK-së. Nuk ka folur me emra, por ka thënë se një rast ka ndodhur gjatë vitit të kaluar dhe rastet tjera këtë vit.

Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, e ka përsëritur se kjo kategori është e lënë anash nga ata të cilët e udhëheqin shtetin, ndonëse, shumë herë u është premtuar për trajtime më të mira.

“Jemi të lënë pas dore. Për 43 ditë kanë vdekur 68 veteranë, deri 80 për qind prej tyre vdiqën nga kanceri. Qeveria asnjë cent nuk e ndau për ta edhe pse na ka premtuar. Kam dëshmitarë që unë me shokët e mi kemi grumbulluar paratë tona dhe ua kemi blerë arkivolet dhe i kemi varrosur ashtu siç na ka hije, si veteranë të Kosovës apo pjesëtarë të UÇK-së”, tha ai.

Ka treguar se në takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, ai u ka premtuar se të gjitha shpenzimet që i kanë harxhuar si Organizatë, Qeveria do t’ua kthejë.

“Kemi bërë një marrëveshje me kryeministrin Haradinaj që ai do të na ndihmojë”, tha Gucati.

Ndonëse u kishte premtuar rritje të pensioneve, të gjithë veteranëve, ky vendim nuk është marrë, por Gucati, u shpreh optimist se pensionet do t’u rriten.

Kujtojmë se veteranët e UÇK-së, tani marrin pension prej vetëm 170 euro.

“Pagat minimale janë të garantuara me ligj. Nëse në Kosovë rritet paga minimale, automatikisht rriten edhe pagat tona. Pres që shumë shpejt ato të rriten. Më kanë thënë edhe këshilltarët e tij (kryeministrit), që diku nga 239 euro deri 250 euro do të rriten. Shpresoj që shumë shpejtë veteranët t’i gëzohen këtij lajmi”, ka thënë Gucati.

Gucati tha se Drejtësia e ka për detyrë të merret më shumë me rastin e pensioneve.

“Nuk guxon Prokuroria në këtë mënyrë t’i ndalë ato”, tha ai.

Se si u bë fryrja e listave të veteranëve, Gucati e cilëson politike.

“Kjo pyetje duhet t’u drejtohet edhe krerëve të shtetit. Ata duhet ta marrin përgjegjësinë për këtë. Fryrja e listave është politike. S’janë fajtorë vetëm komandantët, që tani akuzohen 12 prej tyre, por është fajtore edhe politika. Kjo u bë vetëm për shkak të votave. Pra me vota, ata deshën të ngrisin veten e tyre”, tha Gucati.

Më 24 mars, NATO-ja nisi bombardimet kundër caqeve serbe në Kosovë. Gucati, ka treguar se ku kishte qenë atë kohë dhe si i kishte përjetuar këto sulme.

“Më 24 mars isha në fshatin Bajincë, komuna e Drenasit, ka qenë diku rreth orës 20:00 kur filloi bombardimi i parë. Jo vetëm unë, ne ushtarët, por të gjithë qytetarët e Kosovës e kemi pritur me padurim intervenimin e NATO-s. Ishte lajm i gëzueshëm sepse çdo gjë ishte në harxhim e sipër, municionet, ushqimet, kishte shumë të lënduar, të plagosur. Vetëm dy ditë pas bombardimeve të NATO-s ne kemi dërguar diku rreth 46 shokë në Berishë. Forcat militare serbe bënë masakra të mëdha. Por megjithatë, ndërhyrja e NATO-s ishte gëzim shumë i madh. Në emër timin dhe të gjithë veteranëve, e falënderoj edhe njëherë NATO-n, SHBA-në dhe Bashkësinë Evropiane që ndërhynë në Kosovë dhe që ishte një luftë shumë e drejtë”, përfundoi kryetari i OVL UÇK, Hysni Gucati.