Të dielën do të shënohet 11 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, dhe për nder të kësaj dite deklarata që e shpalli të pavarur Kosovën, është nisur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për në shtatë qendrat kryesore të Kosovës.
Drejtori i protokollit të shtetit, Orhan Hajrizi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Deklarata e Pavarësisë e cila do të qëndrojë deri të hënën në shtatë qendrat e Kosovës, ka filluar të jap rezultat pasi siç tha ai, qytetarët janë duke postuar në rrjete sociale fotografi me këtë Deklaratë.
“E kam thënë edhe më herët që deklarata e Pavarësisë do të qëndroj në sheshet e qendrave të Kosovës, deri ditën e hënë në ora 17:00. Qytetarët do të kenë rastin që për herë të parë në një format të këtillë ta kenë Deklaratën e Pavarësisë në qendrat e tyre e pse jo edhe të bëjnë foto. Në rrjetet sociale tashmë shihen shumë qytetarë që janë duke e vizituar Deklaratën nëpër qendrat e tyre”, ka thënë Hajrizi.
Hajrizi po ashtu theksoi se secila komunë do ta vendos Deklaratën e Pavarësisë në ndonjë objekt të rëndësishëm në komunën e tyre.
“Në baze të agjendës, në fund secila komunë do ta vendos këtë Deklaratë në ndonjë objekt të rëndësishëm të komunave të tyre”, ka thënë Hajrizi.
Ndryshe, Deklarata e Pavarësisë u nis me siguri maksimale nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ku nën përcjelljen e policisë ka arritur në destinacionet e caktuara.
Ushtarët e Gardës Ceremoniale të rreshtuar kanë qëndruar para Deklaratës së Pavarësisë për ta nderuar atë.
Ndërsa, qyteti i parë ku ka arritur Deklarata e Pavarësisë është vet kryeqyteti, pastaj qyteti i Mitrovicës, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Pejë dhe Ferizaj.