Fjalë Kyçe

Haki Rugova nuk e mohon përfshirjen e LDK-së në Qeveri

Haki Rugova nuk e mohon përfshirjen e LDK-së në Qeveri

Ditëve të fundit është shtuar presioni ndaj Qeverisë Haradinaj për heqjen e taksës prej 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Madje, ndaj kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, tashmë përpos ndërkombëtarëve presion të madh po merr edhe nga partneri i koalicionit qeverisës PDK, ku kryetari i saj Kadri Veseli ditë më parë ka kërkuar pezullimin e taksës për 120 ditë, shkruan Gazeta Alo.

E pikërisht taksa ka filluar ta përçaj koalicionin PANA , duke shtuar çdo ditë me më shumë zërat për rrëzimin e kësaj qeverie, gjë të cilën nuk e ka mohuar as vet kryeministri Haradinaj.

Ky i fundit ka vendosur që mos ta pezullojë taksën pavarësisht edhe presioneve, madje as atij amerikan.

E heqjen e taksës po e kërkon edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi që sipas zyrtarëve të saj, po rrezikohet partneriteti me SHBA-në. Që raportet me ShBA-në, nuk guxojnë të rrezikohen e thotë për Gazetën Alo, edhe nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova.

Ndërsa, se a duhet të hiqet taksa apo jo, Rugova vlerëson se vendimin për të do ta vërtetojë koha.

“Vendimin për vendosjen e taksës do ta vërtetojë koha a ka qenë e arsyeshme apo jo , mirëpo një gjë e di sigurt, raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në si partner tonë kyç vendimtar, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kohërat tona më të rënda, pra nuk kemi të drejtë që të jemi refuzues ndaj tyre”, ka thënë ai.

E, derisa po flitet për rënie të Qeverisë, dhe për të evituar shkuarjen në zgjedhje të parakohshme për shkak të proceseve të rëndësishme që i ka vendi aktualisht, si shpëtim po shihet një qeveri gjithëpërfshirëse, ku pjesë e saj do të ishte edhe LDK-ja.

E përfshirjen e LDK-së në një qeveri të tillë nuk e ka mohuar Rugova, por as pohuar . Ai thotë se më mirë do të ishte të shkohej në zgjedhje.

“E mira e së mirës është që të shkohet në zgjedhje’’, ka thënë ai.

Taksa ndaj produkteve serbe ka bllokuar edhe zhvillimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që pala serbe ka deklaruar se pa heqjen e saj s’do të ketë dialog në mes të dyja vendeve.

E, pikërisht për këto qëndrime të kryeministrit Haradinaj, mbrëmë është mbledhur koalicioni qeverisës në një takim i cili ka zgjatur me orë të tëra.

Ndërsa, sot për taksën takim është zhvilluar edhe mes ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Edhe pas këtij takimi është thënë që raportet me ShBA-në nuk guxojnë të rrezikohen. /Gazeta Alo/