Haki Rugova, nënkryetar i LDK-së, thotë se homologu i tij nga Gjilani, Lutfi Haziri, mund të jetë kryetar i ri i partisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Haki Rugova, nënkryetar i LDK-së, thotë se Lutfi Haziri është figurë e rëndësishme politike dhe siç thotë ai, mund të zgjidhet kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend. Kështu ka deklaruar Rugova duke shtuar se procesi zgjedhor brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) tashmë ka filluar dhe planifikohet të përfundojë brenda dy-tre muajve të ardhshëm.
“Forma e shpalljes së kandidaturës për kryetar nga Lutfi Haziri nuk është zyrtare, por ai e ka shprehur vullnetin që të kandidojë dhe është kandidat i mundshëm e pse të mos jetë edhe kryetar? Ai është një figurë e rëndësishme e LDK-së, është njëri nga nënkryetarët dhe unë e shoh si kandidat potencial dhe shumë të mundshëm për kryetar”, shprehet Rugova.
Megjithatë, kryetari i Komunës së Istogut thotë se edhe Isa Mustafa mund të jetë në mandatin e ardhshëm kryetar i LDK-së.
Nënkryetari i LDK-së pranon se kanë hyrë në proces zgjedhor partiak, duke mos e planifikuar se do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend, mirëpo sipas tij edhe nëse ndodhin partia e tij do t’i fitojë.
Rugova ka kritikuar punën e qeverisë “Haradinaj”, por edhe idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve” me Serbinë, duke e vlerësuar si të rrezikshme dhe tradhti ndaj vendit.