Nesër bëhen tre muaj prejse është vendosur taksa ndaj mallrave serbe dhe boshnjake. Më 6 nëntor 2018 kishte filluar të aplikohet taksa prej 10 për qind, ndërsa dy javë më pas e njëjta ishte ngritur në 100 për qind. Për shkak të humbjeve të mëdha financiare, të cilat përgjatë kësaj periudhe vlerësohet se kanë arritur shumën prej rreth 100 milionë eurosh, është rritur edhe presioni ndërkombëtar ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj për heqjen ose pezullimin e saj me arsyetimin se ka bllokuar dialogun në Bruksel.
Kurse nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, në një prononcim për “Zërin” ka thënë që ndonëse duhet sa më parë t’i jepet një epilog çështjes së taksës, ai ka thënë që kjo e fundit po përdoret më shumë për qëllime elektorale të liderëve shtetërorë.
“Problemi kryesor i Kosovës është që ne nuk kemi politikë shtetërore dhe në këto kushte edhe analizat nuk dalin të qëlluara gjithmonë. Për këtë çështje nganjëherë po nxirren edhe mendime me inate dhe me qëllime elektorale, këto qëndrime janë të gabuara. Besoj që Qeveria duhet ta ketë parasysh së bashku me gjithë protagonistët e politikëbërjes së shtetit që të marrin vendimet e duhura në interes të Kosovës. Nëse ne e kemi këtë parasysh, atëherë besoj që vendimmarrja do të jetë e duhur”, ka thënë ai.
Haliti ka vlerësuar se heqja ose jo e taksës i takon qeverisë “Haradinaj”, mirëpo mbetja e saj në fuqi po e dëmton dialogun me Serbinë.