Rimëkëmbja ekonomike pas përfundimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi dhe kthimi në gjendje normale, po shihet si sfiduese për Kosovën, duke marrë parasysh dëmet e paraqitura në nivel lokal dhe global.
E kjo rimëkëmbje do të jetë edhe më e zorshme, pasi që Qeveria aktuale po vonohet për të ndihmuar bizneset.
Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive të tjera të shoqërisë që janë goditur nga pandemia e koronavirusit, Qeveria tani në detyrë e Kosovës ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale, në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh.
Kjo pako është ndarë në 15 pjesë dhe varësisht prej masës së përcaktuar për kategori të caktuara edhe do të përfitojnë aplikuesit.
E nga fillimi i pandemisë dhe marrjes së masave për ndalimin e veprimtarisë së shumë bizneseve, janë me mijëra kompani të ndryshme private që kanë parashtruar kërkesa në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në mënyrë që të përfitojnë mbështetjen nga Pakoja Emergjente e Qeverisë së Kosovës.
Por Qeveria në detyrë e Kosovës nuk e ka zbatuar ende pakon dhe vetëm një pjesë e vogël e saj është kryer, ndërsa nevojat e bizneseve dhe qytetarëve janë të mëdha dhe emergjente pas masave shtrënguese të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, shkruan FaktePlus.
Përveç masës së 3-të për pagat e punëtorëve, bizneset të cilat kanë pasur vështirësi financiare në këtë kohë pandemie, ende nuk kanë përfituar nga pakoja.
Madje vonesat për në implementimin e fazës së parë si dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike po shihen si të rrezikshme për bizneset dhe punëtorët e sektorëve të ndryshme.
Këtë e thotë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Transfere.
Hamza në një bisedë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se deri tani komisioni i tyre nuk ka pranuar kurrfarë pakoje për shqyrtim nga ana e Qeverisë.
Ai thotë se mungesa e relacioneve Qeveri-Kuvend ka lënë anash disa procese shumë të rëndësishme.
Ish- ministri i Financave, Bedri Hamza vlerëson se pakoja e parë e ndërmarr nga qeveria është e vonuar, ndërsa faza e dytë për rimëkëmbjen ekonomike sipas tij është e pamjaftueshme.
“Nuk kemi pranuar asgjë si komision për fazën e parë e le më për fazën e dytë. Faza e parë është zbatuar një pjesë e saj edhe pse baza legale nuk është e qartë për shkak relacioneve Qeveri-Kuvend dhe do të jetë e pa mundur nëse do të respektohet ligji që në tërësi të zbatohet pakoja. Ne e kemi folur qëndrimin tonë që e para është e vonuar e dyta është e pamjaftueshme dhe e treta nuk është gjithëpërfshirëse ku nuk i adreson nevojat e bizneseve dhe nevojat e qytetarëve të vendit”, është shprehur Hamza.
Tutje ish- ministri thotë se pakoja për rimëkëmbjen ekonomike ende është vetëm në nivel bisedash dhe se konkrete nuk ka asgjë.
Ai ka sqaruar po ashtu se pagesat për pakon e parë janë kryer me alokime të parakohshme e që kanë krijuar minuse në buxhetin e Kosovës.
“Pakoja për rimëkëmbje ekonomike është vetëm në nivel bisedash dhe deri më tani nga qeveria nuk kemi asgjë konkrete. Edhe pakoja e parë nuk është zbatuar, i kanë marrë disa pagesa sociale dhe kategori sociale, edhe ato i kanë marrë me alokime të parakohshme ku kanë krijuar minuse në buxhet. Pagesat që i janë bërë sektorit privat, ne jemi pro me t’u ndihmohen dhe po presim të kalojë ajo pako sepse nuk është tërhequr prej Kuvendit është në pritje dhe në procedurë dhe jemi për të bërë pako dhe me i përkrah bizneset”, thotë Hamza duke shtuar se nëse vonohet përkrahja e bizneseve ato edhe mund të falimentojnë.
Ndryshe, afati për të përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale që ka 15 maji. Deri më tani, nuk ka ndonjë shifër të saktë të humbjeve ekonomike, por sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, vlerësohet se 6 milionë euro në ditë Kosova humb për shkak të pandemisë së koronavirusit.