Fjalë Kyçe

Hand kërkon që SHBA’ja të mos e nxitojë Kosovën dheSerbinë për marrëveshje

Hand kërkon që SHBA’ja të mos e nxitojë Kosovën dheSerbinë për marrëveshje

Robert Hand, këshilltar politik i Komisionit të Helsinkit thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ngusin Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë një marrëveshje brenda vitit, sepse ato kanë çështje të vështira për të zgjidhur. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Hand tha se ai vetë nuk është dakord me idenë e ndryshimit të kufijve por shtoi se ajo nuk është hequr nga tryeza. Njohësi i hershëm i çështjeve të Ballkanit i tha koleges Keida Kostreci se tarifa 100 për qind ndaj Serbisë është gabim taktik, por se megjithatë në këndvështrimin afatgjatë, Shtetet e Bashkuara do të jenë mike dhe aleate të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Hand, Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rifillojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve. Administrata amerikane thotë se koha është tani për një marrëveshje, por disa analistë thonë se nuk ka pse të ketë nxitim. Pse është pikërisht tani momenti?

Robert Hand: Mendoj se tani është koha për t’iu rikthyer negociatave dhe dialogut. Dhe më pëlqejnë disa nga deklaratat që kanë ardhur kohët e fundit nga administrata, që bëjnë thirrje për heqjen e tarifave që ka vendosur Kosova, si edhe që i bëjnë thirrje Serbisë që të ndalë përpjekjet agresive për të kthyer mbrapsht disa nga njohjet e Kosovës, pra që të ndalin këto veprime negative dhe të fillojnë të ndërmarrin disa veprime pozitive.

Për sa i takon ngutjes, mendoj se kryesisht është përqendruar tek arritja e një marrëveshjeje deri në fund të vitit dhe nuk është se më befason shumë një gjë e tillë. Kam parë diplomatë dhe politikanë përmes dekadave me radhë që kam që punoj me Ballkanin, që e kanë fokusin shumë afatshkurtër, për atë kohë që janë ata përgjegjës dhe që të marrin meritën, duke u përpjekur të sigurojnë një marrëveshje me shumë shpejtësi. Dhe bëhet me mjaft nxitim. Dhe pastaj pas ndonjë viti, fillon të shohësh pasojat e këtij nxitimi në terren sepse gjërat janë bërë në mënyrë shumë të rrëmbyer. Prandaj unë vetë nuk jam kundër të rënit dakord për të filluar bisedimet, për të filluar dialogun për të parë se çfarë është e mundur, por nuk mendoj se domosdoshmërisht duhet të ketë një nxitim për të rënë dakord, por ndoshta duhet të ketë kohë për të shprehur mosmarrëveshjet, për të filluar dhe konsoliduar një dialog, dhe të vazhdojnë nga ajo pikë, në vend që të shpresojnë për një marrëveshje deri në fund të vitit.

Zëri i Amerikës: Pra a po sugjeroni ju që Shtetet e Bashkuara të përshtasin pozicionin apo pritshmërinë e tyre për afatin e fundit të vitit?
Robert Hand: Mendoj se duhet të inkurajojë fillimin e një dialogu sa më shpejt. Nuk duhet të thotë që dialogu duhet të përfundojë me një marrëveshje në fund të vitit dhe të përpiqet të këmbëngulë arritjen e një marrëveshjeje kur Serbia dhe Kosova kanë disa çështje shumë të vështira për të diskutuar, që mund të duan kohë për t’u zgjidhur. Dhe është më mirë që të lejohet që të kenë kohë të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe të arrijnë një marrëveshje të mirë dhe të konsoliduar, sesa të ngutesh për të arritur diçka, thjesht për hir të pasjes së një marrëveshjeje, thjesht që disa të pretendojnë fitore.