“Do t’i kryejmë të gjitha përgjegjësitë tona, do të ndërtojmë rrugë e ura, e po ashtu do të hapim ura sepse ajo është detyra jonë”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e fillimit të punimeve në rrugën Nacionale M2 – “Rruga e tre Heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha”, Prishtinë – Mitrovicë, segmenti Lumadh – Gojbulë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se ndihet mirë që pas një periudhe kohore të pritjes së finalizimit të të gjitha procedurave që kanë pasur të bëjnë me financimin, më në fund po nis edhe pjesa e operimit, të ndërtimit të kësaj autorruge të segmentit të tashëm, që është njëri nga dy segmentet, por që këtë vit i ofrohet Mitrovicës dhe ashtu siç janë informatat hyjmë deri në Smrekovnicë, dhe nuk do të ketë ndërprerje por do të vazhdohet edhe me pjesën tjetër deri në Mitrovicë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se kjo është një ndër rrugët më strategjike të vendit dhe jetës tonë, që na lidh me Mitrovicën, këtë zonë strategjike dhe ekonomike të vendit tonë, e po ashtu është një arterie që lidhë ekonominë e vendit tonë me ekonomitë fqinje, pra me ekonominë e Serbisë.
“Interesi ynë është që të jetojmë në një Ballkan ku të gjithë janë të lirë, të respektuar dhe të gjithë e njohin njëri- tjetrin në kufijtë e vet, me të drejta të veta dhe njëkohësisht një tregti e lirë dhe një shkëmbim”, tha kryeministri Haradinaj.
Para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj theksoi se për të arritur te kjo ditë do t’i kryejnë përgjegjësit, duke ndërtuar rrugë e ura, e po ashtu do të hapin ura, sepse ajo është detyrë e gjithë neve.
Kryeministri Haradinaj u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë, BE-së, SHBA-së, që të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke, në mënyrë që e gjithë infrastruktura, hekurudhore, auto-rrugët, transmisioni i lartë i energjisë që është bllokuar më shumë se një dekadë, të gjitha këto pengesa të hiqen, në mënyrë që shkëmbimet ekonomike dhe të tjera të ndodhin lirshëm.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, tha se nuk ka diçka më të lumtur kur Qeveria e Kosovës investon në zhvillimin ekonomik, në lëvizjen e lirë të qytetarëve, në transportimin e mallrave dhe që të gjitha këto kanë ndikim pozitiv në zhvillimin e vendit.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se Vushtrria qyteti më i vjetër në Kosovë po bashkohet me autostradën, me qendrën, me Prishtinën, dhe kjo është një nga të arriturat e mëdha për zhvillimin ekonomik të qytetit dhe qytetarëve të kësaj ane.