Meliza Haradinaj-Stublla, këshilltare e kryeministrit Ramush Haradinaj, nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka kritikuar edhe një herë të parin e VV’së Albin Kurti. Sipas saj, deputeti i VV’së nuk po vlerëson punën e Haradinajt, i cili sipas saj, zgjidhi temat e grumbulluara 20 vjeçare.
Haradinaj-Stublla ka renditur siç i quan ajo rezultatet e punës së Haradinajt si kryeministër, përfshirë formimin e ushtrisë dhe taksën 100 për qind.
Shkrimi i plotë i Haradinaj-Stublla në Facebook:
Albini qenka lajmëru përsëri, nga pozicioni i hiçasgjësë, me zero rezultate e shumë fjalë, me ton të pabazë supremacie ndaj një kryeministri e qeverie që zgjidhi temat e grumbulluara 20 vjeçare të historisë së re të Kosovës.
Duke e ditur se po i lexon këto që po i shkruaj, po i përmend disa nga rezultatet e kësaj qeverie:
Ushtria e Kosovës u formua me përkrahje të fuqishme të forcave aleate. T’a rikujtoj Albin, që Ushtria e Kosovës nuk ka mbetë në letër (siç deklarove sot) sado që ti dëshiron. Ajo mund të ketë mbetë vetëm në mendjen tënde në letër, sikur të gjitha premtimet e idealet të cilat nuk pate aftësinë t’i realizoje kurrë, as edhe përmes një iniciative të vetme në Parlamentin e Kosovës, prej nga paguhesh ti dhe partia që drejton. Ushtria e Kosovës po forcohet e modernizohet me paisje ushtarake amerikane, sipas standardeve të NATOs. Ushtarët e Kosovës po bëjnë nam nëpër Akademitë Ushtarake të vendeve më të fuqishme demokratike, duke u kthyer në Kosovë me rezultate shembullore. Të këshilloj që një ditë të vizitosh Ushtrinë tonë, dhe të njoftohesh nga afër me kapacitetet e saj ushtarake dhe njerëzore.
U rikthye dinjiteti shtetëror i Republikës së Kosovës me taksën 100% ndaj Serbisë, duke eliminuar kompleksin e inferioritetit ndaj saj, dhe i mundësoi Kosovës të mos shkojë kokëulur në dialog, sa për t’u fotografuar, e sa për t’i mundësuar Serbisë të avansojë rrugën e saj evropiane. Falë Kryeministrit Haradinaj, i dashur Albin, Kosovës iu është larguar rreziku për të dialoguar me Serbinë për territorin e saj, për sovranitetin e saj, për rregullimin e saj të brendshëm, për pasurinë e saj natyrore, për Trepçën e Ujmanin, apo për tregun tonë ekonomik. E di që e ke zor t’ia pranosh këtë votuesve tuaj, sepse ke qenë i fjetur gjatë gjithë kohës së kësaj beteje, të cilën kryeministri si rëndom, e fitoi i vetëm.
E pashë që në paraqitjen e sotme në Podujevë, ishe angazhuar pak edhe rreth numrave, buxhetit, ekonomisë e matematikës. E kuptoj shqetësimin tënd. Është shqetësim ekzistencial, sepse tani me Pakon e Ligjeve të miratuara nga Qeveria Haradinaj, nuk do të kesh mundësi më të mbash arbitrarisht buxhetin partiak të fituar nga të gjithë deputetët tuaj në Kuvend, sepse ai buxhet ju takon përfaqësuesve e anëtarëve pa dallim, e jo vetëm ty si kryetar partie. Tani meqë VV-ja të ka ngelë pa bosht kurrizor, stë ka mbetë gjë tjetër pos të gjesh të tjerë anëtarë që i bindë me boshllëkun tënd politik për disa vjet të tjera, për t’u ndarë përsëri e për t’u mos u realizuar asnjëherë!
Prandaj Albin,
Guxo të vlerësosh drejtë, jo si ëndërrimtar e zhurmues, por si burrështetas.