Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka dërguar sot telegram Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në 70 vjetorin e nënshkrimit të traktatit të NATO-s.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj e ka përmendur edhe 20 vjetorin e intervenimit të NATO-s në luftën e fundit në Kosovë.
Njëzet vjet më parë, NATO mbrojti të drejtat e popullit të Kosovës përballë një fushate gjenocidale të vrasjes dhe terrorit. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s”, ka shkruar ai.
Tutje, i pari i Qeverisë, thotë se edhe pas dy dekadave kosovarët po jetojnë si popullit i lirë me orientim euro-atlantik, e me synim që Kosova të i bashkohet kësaj aleance.
Postimi i tij i plotë
Në shënim të 70-vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të NATO-s, në emër të popullit dhe Qeverisë së Kosovës, i kam dërguar telegram Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit Veriatlantik, Jens Stoltenberg, me urimet më të mira. Njëzet vjet më parë, NATO mbrojti të drejtat e popullit të Kosovës përballë një fushate gjenocidale të vrasjes dhe terrorit. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s. Tani, pas dy dekadave, si popull i lirë me orientim të natyrshëm dhe të palëkundur euro-atlantik, ne synojmë që të jemi pjesë e aleancës së shteteve të NATO-s dhe të japim kontributin tonë të plotë në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të sigurisë, lirisë dhe demokracisë. #WeAreNATO #NATO70
RH