Fjalë Kyçe

Haradinaj ka këtë kërkesë për deputetët, pas ndryshimit të Projektligjit për Paga

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur i shqetësuar lidhur me vendimin e Komisionit Parlamentar për të proceduar në Kuvend Ligjin për Paga, e i cili parasheh zvogëlim të pagave në sistemin gjyqësor dhe prokurorial ndryshe nga vendimi i cili është marrë nga Qeveria e Kosovës.

Haradinaj, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka ftuar Komisionin, Kuvendin dhe deputetët që mos ta dëmtojnë sistemin e drejtësisë dhe të reflektojnë, duke u bërë bashkë në mbrojtje të sundimit të ligjit, shkruan Gazeta Alo.

Haradinaj ka shkruar se  do të vazhdojë të luftoj për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në të gjitha etapat.

Postimi i tij i plotë:

Policë, Prokurorë dhe Gjyqtarë të pavarur dhe të dinjitetshëm, do të thotë më shumë siguri dhe më shumë zhvillim ekonomik!

Në këtë mision, Qeveria e Republikës së Kosovës që në fillim të mandatit, vendosi për rritjen e pagave në këtë sektor, si pjesë e fuqizimit të sundimit të rendit dhe ligjit.

Sot, jam i shqetësuar me vendimin e Komisionit Parlamentar, për të procesuar Ligjin për Paga, me ndryshimet në kundërshtim të misionit tonë, me paga të zvogëluara në sistemin Gjyqësor dhe Prokurorial.

Ftoj Komisionin, Kuvendin dhe deputetët që mos ta dëmtojnë sistemin e drejtësisë dhe të reflektojnë, duke u bërë bashkë në mbrojtje të sundimit të ligjit.

Unë do të vazhdojë të luftoj për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në të gjitha etapat – komision, diskutim e seancë, ashtu si kam luftuar e qëndruar deri më tash./Gazeta Alo/