Fjalë Kyçe

Haradinaj: Kurti është mashtrues, Vjosa është e paqëndrueshme

Haradinaj: Kurti është mashtrues, Vjosa është e paqëndrueshme

I ftuar në T7, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka komentuar të gjithë kandidatët e tjerë për kryeministër.

Për Vjosa Osmanin, e cila është kandidate për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se ka dyshime për qëndrueshmërinë e saj. Sipas Haradinaj, Osmani nuk shquhet për qëndrueshmëri në ndonjë rast specifik, por njihet vetëm për atë që ka dhënë në “pozicione publike e teorike”.

“Nuk e di sa ka qëndrueshmëri. Nuk e njoh prej një situate të caktuar dhe nuk e di sa mund të përballet me sfidat që e presin vendin, nuk e di sa mundet Vjosa me i kalu këto që i kam kaluar unë, për shembull kur i ke në dy anët persona që po punojnë kundër, nuk e di sa mundet me i kalu këto etapa” është shprehur Haradinaj.

Ndërkohë Albin Kurtin, kandidat i lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, e ka quajtur edhe njëherë tjetër mashtrues. Sipas Haradinajt, nëse Kurti ka rrëzuar një kamion me mallra serbe, qeveria e tij ka ndaluar tërësisht ato.

“Shumicën e temave që i ka thënë ai i ka zbatuar Qeveria Haradinaj. Nëse dikush  e ka nal një kamion të Serbisë, ne e kemi marrë vendimin. Nëse ka fol për ushtri u kry, pra po thom ashtu si ide këshilldhënëse i ka të mira, por edhe te ky shihet një mungesë e qëndrueshmërisë” është shprehur Haradinaj.

Sipas tij, Kurti është mashtrues pasi që ka ndryshuar qëndrime për simbolet e Kosovës.

“Për shembull që tha i respektoj simbolet e Kosovës. Po vërehet njëfarë dallimi i madh. S’po di a mundesh me i besu dikujt, që ndrron veç nëse e din që është afër karrigës. Kam thënë se është mashtrues, se na paska mashtru kur s’u qu për himnin. Qe një kohë ma s’ia kemi parë shqiponjën”, tha ai.

Ndërsa për Kadri Veselin duket se Haradinajt nuk i ka pëlqyer ideja e tij për pezullim 120 ditor të taksës të kërkuar nga SHBA-të – duke thënë se nuk ka treguar qëndrueshmëri.

E për Fatmir Limajn, Haradinaj nuk pati shumë për të dhënë, përveçse u shpreh që Limaj ka një qasje pragmatike.