Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se letra e presidentit amerikan, Donald Trump drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është një lajm i mirë për shtetin dhe popullin e Kosovës.
Siç ka shkruar Haradinaj në Facebook, ShBA që nga fillimi ka qenë dhe vazhdon të jetë përkrahësja më e fuqishme e shtetit të Kosovës, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.
“Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës mbështes fuqishëm çdo përpjekje për unifikim të qëndrimeve të spektrit politik dhe përgatitjeve të shpejta për përmbylljen e marrëveshjes gjithpërfshirëse ligjërisht obligative ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, në një letër dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, presidenti amerikan Donald Trump, ka kërkuar nga liderët në Kosovë që të shfrytëzojnë këtë moment të cilin ai e ka quajtur unik, të flasin me një zë dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Në këtë drejtim, ndër tjerash Trump, i ka shkruar presidentit Thaçi se SHBA-të janë të gatshme që të ndihmojnë në përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë.