Fjalë Kyçe

“Haradinaj me dy ministri nuk mund ta mbajë taksën në fuqi”

Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja nëse dëshirohet të rivendoset legjitimiteti i shtetit.

Kështu, ka thënë për Gazetën Alo, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi.

Kjo, për shkak që siç thotë ai realiteti në të cilin ndodhen qytetarët e Kosovës, është jo i favorshëm e aq më pak i favorshëm në atë që definohet shtetndërtim.

“Kushdo që meton se e do Kosovën shtet të pavarur dhe dëshiron ta mbrojë interesin e saj si shtet funksional duhet të shkojë në zgjedhje të reja demokratike për të rivendosur legjitimitetin e shtetit”, ka thënë Abazi.

Ndërsa, i pyetur rreth asaj se edhe për sa kohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj do të qëndroj dhe nuk do të zbrapset nga vendimi për taksën, Abazi ka deklaruar se në këtë çështje është një situatë paradoksale.

“Momenti dhe konstalacioni i forcave nuk është në favor të Kosovës dhe kjo e bën shumë brengosëse edhe qëndrimin e kryeministrit Haradinaj ndaj taksës sepse me mbajtjen e taksës, përderisa PDK si element dekonstruktiv po kërkon tërheqjen e saj krijon situatë paradoksale që Haradinaj me dy ministri të mbajë taksën në fuqi, mirëpo në anën tjetër heqja e saj e lëshon për toke pozicionin kosovar për negociata”, ka thënë ai.

Por, të gjithë situatën e krijuar në vend e ka quajtur fatkeqësi për Kosovën, duke shtuar se pikërisht në këtë kohë po krijohen ekipe shtetërore për ta përfaqësuar Kosovën në Bruksel e që siç thotë, Abazi këta persona të këtyre ekipeve nuk përfaqësojnë askënd.

“Është qesharake se si në fatkeqësinë e madhe të Kosovës po krijohen procese paralele duke krijuar ekipe qeveritare shtetërore ku marrin pjesë njerëz që nuk përfaqësojnë askënd. Përveç që nuk është serioze kjo gjë në mënyrë implicite injorohet kushtetuta dhe akti i shpalljes së pavarësisë. Me këto forma Kosova po sillet si një organizatë joqeveritare dhe jo si shtet”, ka pohuar Abazi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk është i interesuar që vendi të shkojë në zgjedhje, por se sipas tij nëse sigurohen 61 vota për rrëzim të qeverisë atëherë do të pajtohet me këtë gjë.

Ndërsa, ka thënë se nuk do ta pezullojë taksën deri sa Serbia ta njoh shtetin e Kosovës./Gazeta Alo/

Rezultate imazhesh për haki abazi