Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme është takuar me përfaqësuesit e Sindikatave të Shërbimit Civil.
Haradinaj tha se me sindikalistët diskutua për fillimin e dialogut institucional të drejtpërdrejt në mes të Qeverisë dhe Sindikatave të Shërbimit Civil.
Ky është njoftimi i plotë i Haradinajt:
“Sot takova përfaqësuesit e Sindikatave të Shërbimit Civil, me ç’rast i dëgjova kërkesat e tyre të arsyeshme dhe mënyrën e adresimit të tyre. Në takim diskutuam edhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm dhe u dakorduam që të fillojmë dialogun institucional të drejtpërdrejt në mes të Qeverisë dhe Sindikatave të Shërbimit Civil.
Në këtë aspekt vendosëm që do të trajtohen çështjet që lidhen me stazhin e punës të viteve të ‘90-ta duke krijuar një komision qeveritar që do të trajtojë këtë temë.
Po ashtu, do të diskutohet për kushtet e punës në shërbim civil, aspekti i inspektorateve dhe avancimin e shërbyesve civil të komunës së Prishtinës sipas Ligjit për Kryeqytetin.
Me erdhi mirë që ngritja prej 0.20 %, që është e barabartë me sektorët tjerë u kuptua si një përkushtim i Qeverisë për të përmirësuar sado pak gjendjen e shërbyesve civilë dhe se vazhdimi i dialogut institucional ndërmjet Sindikatës dhe Qeverisë do të jetë përkushtimi im personal.
Administrata e shtetit e përfaqësuar nga shërbimi civil është motori i shtetit tonë dhe se trajtimi i tyre do të jetë i kujdesshëm përmes një dialogu të vazhdueshëm”, shkruan Haradinaj./Gazeta Alo/