Premtimi i deputetit të AAK-së, Blerim Kuçi se nëse nuk ndodh liberalizimi i vizave ai do të japë dorëheqje nga pozita e tij, nuk do të mund të realizohet.
Kjo pasiqë kryeministri Haradinaj në një konferencë për media gjatë ditës së sotme ka thënë se nuk do ta pranojë dorëheqjen e Kuçit.
“Unë kam qenë në një takim në Suharekë ku kanë qenë një numër i madh i strukturave. Edhe deputeti Blerim Kuçi ishte aty. Është shtruar kërkesa e dorëheqjes por baza edhe struktura e AAK-së në këtë qytet kanë qenë kundër”, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se në emër të tyre nuk do ta pranojë një vendim të tillë.
Kujtojmë, se vetë Kuçi në fillim të këtij viti kishte thënë se kërkesën e tij për dorëheqje e ka parashtruar në organet e partisë.