Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur për rrjedhën e hetimeve në zbardhjen e vrasjes së liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq.
Haradinaj deklaroi se hetimet janë ende në një fazë intensive dhe nuk është duke u përjashtuar asnjë pistë. Ai tha se përkundër gatishmërisë për shkëmbim informatash me Serbinë nuk ka pasur ndonjë përparim në këtë drejtim, raporton lajmi.net.
“E kuptojmë në bazë të ndjeshmërisë së rastit që nuk mundem disa pjesë të hetimeve me i sjellë në Kuvend. Hetimet janë intensive dhe nuk është përjashtu asnjë pistë. Ne kemi shpreh gatishmërinë me pas shkëmbim informatash edhe me Serbinë mirëpo nuk ka pasur ndonjë përparim në këtë drejtim”, deklaroi Haradinaj.
Ai po ashtu shtoi se epilogu për zbardhjen e kësaj vrasje mund të jetë i pamundur në qoftë se nuk zhvillohen hetime intensive edhe në Serbi.
“Çështja e zbardhjes së vrasjes është në interes për Kosovën dhe pajtohemi që kjo do të ishte edhe dëshmi e zotësisë dhe aftësisë tonë për të nxjerrur të vërtetën”, përfundoi Haradinaj./Lajmi.net/