Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Komunën e Gjilanit, ka vizituar kompaninë “Frutomania”, ku është pritur nga pronari Armend Malazogu me bashkëpunëtorë, i cili e ka njoftuar për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet kjo kompani.
“Jemi në kompaninë më të suksesshme në Kosovë, në pemëtarinë më të suksesshme, sepse ka numrin më të madh të pemëve, sipërfaqen po ashtu dhe ajo që është me rëndësi, kjo kompani është prodhuese dhe nuk e shet produktin si lëndë të parë, por e përpunon dhe me këtë nënkuptohet se me qarkullim përfiton ekonomia e vendit”, tha kryeministri Haradinaj.
Duke qenë se “Frutomania” është produkt i Kosovës, por që eksportohet edhe në tregjet e huaja, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria, Ministria e Bujqësisë, por edhe programet qeverisëse duhet të zbatohen në kohë, për shkak se vonesat shkaktojnë pasoja.
“Kjo është një storie e suksesit, ngase “Frutomania” është ndër kompanitë më të mëdha në Ballkan dhe është me rëndësi se produktet janë origjinale dhe kanë fituar besimin e konsumatorëve në vendet më të zhvilluara të botës”, tha kryeministri Haradinaj.
Pronari i kompanisë “Frutomania”, Armend Malazogu, e falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën e sotme, duke thënë se kjo tregon se Qeveria është e përkushtuar dhe kujdeset për prodhimet bujqësore dhe industrinë e përpunimit të produkteve bujqësore.
Më pas, kryeministri Haradinaj vizitoi fabrikën e prodhimit të mishit të pulave dhe vezëve “Konsoni”, ku nga pronari Agim Sahiti, është njoftuar për sfidat që ka ky sektor, por edhe për mundësitë e ofrimit të përkrahjes së Qeverisë.
“I pamë edhe vetë, produktet e pulës, vezët, dhe çka është me rëndësi është se kjo kompani që është e Kosovës ka arritur ta përfshijë tregun e Kosovës, që edhe në zonat tjera të hapë pika të plasimit të mallit të vetë. Është një produkt i shëndoshë, i garantuar”, tha kryeministri Haradinaj duke e përgëzuar pronarin Agim Sahiti për punën e bërë.
Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj tha se së bashku me pronarin e kësaj kompanie biseduan për sfidat dhe për mundësitë që Qeveria të vazhdojë t’i japë përkrahje këtij sektori.
Pronari i fabrikës “Konsoni”, Agim Sahiti, shpreson se në të ardhmen do të rriten kapacitetet jo vetëm të “Konson-it”, por edhe të prodhuesve tjerë në Kosovë, ngase duke rritur kapacitetet rriten edhe nevojat e konsumatorëve për konsumim të produkteve vendore.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria do të krijojë klimë sa më të përshtatshme që prodhuesit vendorë të operojnë lehtësisht në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.