Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se sot ka vizituar dy ish-bashkëluftëtarë të tij, të cilët janë thirrur për intervistë nga Gjykata Speciale.
Haradinaj ka vizituar ish-komandantin e UÇK-së të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtakun dhe atë të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafën – Remin, të cilët sot udhëtojnë për në Hagë.
Në një postim në profilin e tij në “facebook”, Haradinaj ka theksuar se lufta çlirimtare e Kosovës ka qenë e pastër dhe e shenjtë dhe se ajo do të dëshmohet fuqishëm dhe kurdoherë.
Ky është postimi i Haradinajt:
“Sot, kam vizituar dy komandantët e UÇK-së, Sami Lushtakun dhe Rrustem Mustafën. Se lufta jonë çlirimtare ishte e pastër dhe e shenjtë do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë! Së bashku do të dalim faqebardhë edhe në këtë sfidë!”.