Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se fushata në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, ka treguar sukses, dhe për këtë ka falënderuar Ambasadën e Britanisë së Madhe për mbështetjen.
Në konferencën për media së bashku me ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves, Haxhiu tha se qëllimi është edukimi i publikut mbi raportimin e dhunës.
“Me mbështetjen e ambasadës britanike, ne kemi arritur që ta ngremë një fushatë që frymëzon veprim. Sot dhe çdo ditë tjetër mund të ndërhyjmë kur ka situata të papërshtatshme. Kjo fushatë ka adresuar disa raste kyçe. Edukimin e publikut mbi raportimin e dhunës, partneriteti ndërmjet MD dhe Qeverisë britanike, ku ka sjellë në Kosovë praktikat e Britanisë së Madhe lidhur me këtë çështje”, u shpreh Haxhiu.
Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, tha se as Mbretëria e Bashkuar dhe as Kosova nuk janë imune ndaj dhunës me bazë gjinore.
“16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore janë një moment i rëndësishëm për të gjithë ne për të përforcuar angazhimin tonë për të trajtuar këtë problem të përbashkët global. Dhuna me bazë gjinore është një krizë globale urgjente. Një në tre gra në mbarë botën do të përjetojnë dhunë gjatë jetës së tyre, shumë nga duart e partnerit ose të një anëtari të ngushtë të familjes. As Mbretëria e Bashkuar dhe as Kosova nuk janë imune nga kjo epidemi dhe ne të dy kemi parë rritje shqetësuese të numrit të rasteve të raportuara në forcat tona përkatëse të Policisë në vitet e fundit. Do të ishim naivë nëse mendonim se nivelet e rritura të raportimit mund të jenë përgjegjëse për të gjitha këto”.
“Megjithatë, ndërkohë që qeveria ka një rol të madh për të siguruar që institucionet të kenë mjetet e duhura për t’i mbajtur autorët përgjegjës dhe për të mbështetur viktimat, ne të gjithë kemi një rol për të luajtur në luftën kundër dhunës me bazë gjinore. Një ndërhyrje vërtet e rëndësishme që ne si qeveri mund të bëjmë është të bindim qytetarët për rolin e rëndësishëm që ata mund të luajnë”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Duke u mbështetur në dëshmitë e asaj që funksionoi në MB, dhe nga kërkimet e kryera nga Shërbimi i Komunikimit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe OJQ-të lokale, ai tha se ekipi ka punuar së bashku në një fushatë profesionale, të bazuar në dëshmi, ndikimi i së cilës do të jetë i matshëm.
“Ekipi identifikoi një problem – mungesën e njohurive se cilat sjellje konsiderohen si GBV, dhe si të ndërhyhet ose raportohet në mënyrë të sigurt për dhunën – dhe më pas zhvilloi një fushatë të synuar për ta trajtuar atë. Fushata do të synojë kalimtarët midis moshës 18 dhe 34 vjeç, të cilët hulumtimi tregoi se ishin më të gatshëm të merrnin parasysh ndërhyrjen ose raportimin, por shpesh nuk ishin të sigurt se si ta bënin këtë”, tha Hargreaves.