Fjalë Kyçe

Holanda goditet nga stuhia e borës, e para në dhjetë vjetët e fundit

Holanda goditet nga stuhia e borës, e para në dhjetë vjetët e fundit

Holanda është goditur nga një stuhi bore, e para në dekadën e fundit teksa moti i ftohtë ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës Veriore. Autoritetet holandeze kanë mbyllur të gjitha qendrat testuese për koronavirus për shkak të motit ekstrem. Transporti është bllokuar dhe linjat hekurudhore me Gjermaninë janë suspenduar përkohësisht për shkak se shinat janë tërësisht të mbuluar. Moti i ligë është rezultat i stuhisë “Darcy”, që ditë më parë goditi edhe pjesë të Britanisë së Madhe.

Holanda ishte në gjendje emergjente të dielën për shkak se erërat arritën shpejtësinë deri në 90 kilometra në orë.

Bora e madhe që ka rënë gjatë tërë së dielës ka shkaktuar vonesa të shumta në trafik. Njerëzit janë këshilluar që të shmangin udhëtimet dhe ka pasur raportime për dhjetëra aksidente shkaku i rrugëve të akullta.

Aeroporti i Eindhovenit është mbyllur dhe të gjitha fluturimet janë drejtuar për në Gjermani. Aeroporti Schipohol në Amsterdam, të dielën, i ka paralajmëruar udhëtarët se mund të përballen me vonesa të shumta.

Meteorologët kanë konfirmuar se një kombinim i erërave të fuqishme dhe borës së madhe ka arritur në nivelet e një stuhie bore.

“Kjo është stuhia e parë që një kohë të gjatë: për herë të fundit ndodhi në janarin e vitit 2010”, kanë njoftuar meteorologët.

Të dielën, në shumicën e qyteteve holandeze niveli i borës ka arritur në 10 centimetra, por në viset malore ka shkuar në 30 centimetra.

Deri në dhjetë ditë Holanda do të jetë në temperaturat nën zero. Të dielën temperatura ka rënë në minus 6 gradë Celsius.

Moti i ligë ka përshirë edhe Gjermaninë. Trafiku dhe linjat hekurudhore janë penguar nga bora e madhe në shtetin gjerman, North Rhine-Westphalia.

222 aksidente trafiku janë shkaktuar që prej së shtunës në Gjermani, ka konfirmuar policia.

Meteorologët gjermanë kanë parashikuar se reshje më të mëdha të borës do të ketë edhe në orët e hershme të së hënës.

Në Belgjikë, reshjet e borës ishin me intensitet të ulët, por zyrtarët janë të përgatitur për temperatura të ulëta gjatë tërë javës. Edhe Britania e Madhe është paralajmëruar se stuhia “Darcy” mund të sjellë borë dhe erëra të fuqishme në lindje dhe jugperëndim të Anglisë. Moti ekstrem pritet të jetë deri në mesin e javës së ardhshme.