Fjalë Kyçe

Hoti: Në vendimet e SBASHK-ut ka dorë politika

Hoti: Në vendimet e SBASHK-ut ka dorë politika

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, në “Express Intervistën” në KTV, ka thënë se mosbashkëpunimi i SBASHK-ut me Ministrinë e Arsimit, lenë për të kuptuar se vendimet e kësaj Sindikate janë të orkestruara nga politika.

“MASHT-i, DKA-të dhe të gjithë bartësit e arsimit janë të obliguar t’i përmbushin plan-programet. Në seancë pati zëra që është inati apo konflikti mes ministrit dhe SBASHK-ut, unë do të thosha se udhëheqja e kësaj Sindikate ka shfaqur mosbashkëpunim. Kjo lenë për të kuptuar se mund të ketë edhe orkestrime politike që janë brenda SBASHK-ut”.

“Nuk është mirë me u instrumentalizu nga politika, qoftë për ta penguar edhe funksionimin e ministrit apo qoftë për të fituar ndonjë votë. Në fund të ditës humbin nxënësit, prindërit dhe vendi. Ministri ka bërë shumë ndryshime në sistemin e arsimit dhe kjo ndoshta i ka prishur politikat e dikujt. Kjo po shihet edhe me refuzimin e SBASHK-ut”, ka thënë ai.

Hoti ndër të tjera ka thënë se ekziston mundësia e realizimit të këtyre orëve të humbura.

“Ne jemi të bindur se ka mundësi me i realizu këto humbje sepse ekzistojnë mundësitë dhe rrethanat. Ne jemi detyruar që të mbajmë seancë për të ardhur me një propozim-rezolutë që në përmbajtën e saj konstaton rëndësinë e atyre orëve. Përmes saj i bëjmë thirrje Kuvendit që së bashku edhe me Ministrinë e Arsimit të vijnë me një mendim të përbashkët për të realizuar këto orë të humbura”, ka thënë ai.

Ndërkohë ai nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e deputetit Zafir Berisha, gjatë seancës së sotme derisa ka thënë se fryma e fjalimit të tij ka qenë se si mund të kompensohen orët.

“Nga principi që kam nuk i komentoj deklaratat, duhet të kihet kujdes mirëpo në ndonjë moment të caktuar njeriu vjen në një moment kur eskalon. Fryma e fjalimit ka qenë se si të kompensohen këto orë”, ka thënë ai.

Hoti ka folur edhe funksionalizimin e KQZ-së derisa ka thënë se ka pajtueshmëri të plotë mes koalicionit për emrat të cilët janë emëruar në këtë institucion.

“Zhagitja kaq e madhe e mosdekretimit të anëtarëve nga presidenti është një humbje e madhe sepse nuk është dashur të pritet kaq gjatë. Mënyra si ka vendosur presidenti nuk është mënyrë e drejtë. Ne si Nismë konsiderojmë që është i papranueshëm vendimi i presidentit, ne kemi pajtueshmëri mes PAN-it por nuk pajtohemi me qëndrimin e presidentit. Ne duhet t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese mirëpo nuk qëndron ajo se ne kemi papajtueshmëri se kush është emëruar në KQZ”, ka thënë ai.