Fjalë Kyçe

Hoti thotë se për shkak të mos zbatimit të MSA-së, Kosova sivjet rrezikon t’i humbë 14 milionë euro

Hoti thotë se për shkak të mos zbatimit të MSA-së, Kosova sivjet rrezikon t’i humbë 14 milionë euro

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se si pasojë e mos zbatimit të MSA-së, vjet Kosova ka humbur 11 milionë euro dhe sivjet rrezikon t’i humbë edhe 14 milionë të tjera.

Sipas tij, kjo shumë e të hollave është humbur dhe rrezikon të humbet për shkak se asnjë nga 11 kushtet në marrëveshjen e vitit 2017 me Bashkimin Europian, nuk është plotësuar.

Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Hoti ka shkruar se zbatimi I planit të MSA-së, nuk ka tejkaluar nivelin 60%, shkruan Gazeta Alo.

Postimi i tij i plotë:

Bazuar në angazhimet e Qeverisë Mustafa, në dhjetor 2017 është nënshkruar marrëveshja në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian për 25 mil euro për mbështetje për zhvillim të Kosovës. Por, për shkak të mos zbatimit të MSA-së gjatë vitit 2018, Kosova ka humbur 11 mil euro. Ndërkaq, këtë vit mund të humben edhe 14 mil euro të tjera.

Asnjëri nga 11 kushtet e parapara në marrëveshje për tërheqje të mjeteve nuk është plotësuar, siç janë:

– Zbatimi i Planit te MSA-së nuk ka tejkaluar nivelin prej 60%.

– Dokumentet strategjike të Qeverisë nuk kalojnë as 50% në diskutime publike.

– Administrata nuk është racionalizuar, përkundrazi është stërngarkuar.

– Nuk është miratuar legjislacioni për pezullim të detyrueshëm nga detyra të zyrtareve të akuzuar për vepra korruptive.

– Institucionet nuk i përgjigjen sa duhet Avokatit te Popullit në rastet e ngritura nga ai.

Pavarësisht këtyre dështimeve, përgjegjësinë nuk e merr askush. Ministrja e Integrimit Evropian mban konferencë ku deklaron krejt tjetër gjë. Vitin që shkoi, me iniciativë të LDK-së, Kuvendi i Kosovës ka ftuar këtë ministre në interpelancë për nivelin e ulët të zbatimit të MSA-së. Në atë seancë është miratuar një rezolutë që nuk është zbatuar nga Qeveria, duke quar në humbjen e 25 mil euro mbështetje buxhetore për Kosovën.

Me këtë qasje, Kosova nuk mund të përparojë në rrugëtimin e saj drejt BE-së. KOSOVËS I DUHET QEVERI PROFESIONALE DHE E PËRGJEGJSHME.

REZOLUTA e miratuar në Kuvendin e Kosovës më 19.06.2018, e iniciuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së.

  1. Në afat prej dy jave, Qeveria të sjellë në Kuvend Programin Kombëtar (të rishikuar) për Zbatimin e MSA-së për vitin 2018, i cili plan merr parasysh vonesat e deritashme.
  2. Komisioni Parlamentar për MSA dhe Komisioni për Integrim Evropian të shqyrtojë në afat prej dy jave këtë Program me zyrtarët përkatës të Qeverisë dhe t’i paraqesin Kuvendit raport me shkrim, duke identifikuar masat prioritare dhe institucionet përgjegjëse.
  3. Pas çdo tremujori, Komisioni Parlamentar për MSA t’i paraqes Kuvendit raport me shkrim lidhur me realizimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.
  4. Të gjitha Komisionet Parlamentare obligohen të përcjellin punën e dikastereve qeveritare dhe institucioneve të tjera, të cilat ato i mbulojnë lidhur me detyrat e tyre të parapara në Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së./Gazeta Alo/