61 deputetë të Kuvendit të Kosovës po i kërkon Lidhja Demokratike e Kosovës, për të dërguar mocionin e votëbesimit për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj.
Kjo shumicë e deputetëve për këtë parti politike, e cila është opozitë dhe ka numrin më të madh të ligjvënësve në grupin parlamentar, nuk ka rëndësi se nga cila parti vijnë ata deputetë, madje edhe nëse janë nënshkrime të Listës Serbe.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i pyetur se a i pranojnë votat e serbëve për rrëzimin e Qeverisë, ai nuk e ka mohuar as pohuar, por ka bërë të ditur se e rëndësishme për këtë parti, është të jenë 61 deputetë.
“Mendoj që është interes shtetëror i Kosovës që sa më parë të mbarojë ky model i keq i qeverisjes. në momentin që bëhen 61 vota, 61 të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, për të quar përpara mocionin e votëbesimit është interes shtetëror që të ndërrohet kjo qeverisje. Mendoj që jam mjaft i qartë në këtë pikë. Na duhen 61 vota në momentin që bëhen 61 vota, ne qojmë përpara mocionin e votëbesimit”, ka thënë Hoti.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Hoti situatën politike e ka quajtur si tejet komplekse, ku sipas tij, Lista Serbe, nuk po e përkrahë mocionin e opozitës por as mazhorancën.
“Mendoj që jemi në një situatë shumë komplekse të funksionimit të institucioneve të vendit. Nga prilli i vitit të kaluar qeveria aktuale e ka humbur shumicën në Kuvend dhe në veçanti nga shtatori i vitit të kaluar kur partneri i koalicionit lista serbe kanë dalë komplet jashtë qeverisë, nga atëherë koalicioni qeverisës funksionon me 52 vota në Kuvend. Në anën tjetër i ka votat që i ka por nuk e ka shumicën prej 61 për të quar përpara mocionin e votëbesimit sepse Lista Serbe nuk është as në Qeveri por nuk e përkrahë as opozitën në mocionin votëbesimit. Jemi në një situatë që është kompleksë. Në këtë situatë unë mendoj që përgjegjësia e plotë është e Qeverisë, për të reflektuar”, shtuar Hoti.
Siguri për votat e rrëzimit të Qeverisë, LDK-ja nuk ka as për PSD-në. Shefi i deputetëve të LDK-së, nuk komenton veprimet e PSD-së, karshi nënshkrimeve për mocionin e votëbesimit.
“Unë mendoj duhet t’i pyesni ata, nuk mund të flas në emër të tyre. Unë mund të flas në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, atë mund të ju them me kompetencë të plotë është që në atë moment që i sigurojmë 61 vota për të quar përpara mocionin, në atë moment do ta procedojmë. Duhet t’i pyesni ata, nk mund të flas në emëe të ttyre”, ka shtuar Hoti.
Hoti ka pakënaqësi edhe për Platformën dhe Ligjin për Dialogun të miratuar me shumicë votash të enjten në Kuvendin e Kosovës. Për LDK-në, këto dy dokumente janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me rregulloren e Kuvendit.
Sipas Hotit, Platforma që derivon nga ky Ligji për Dialogun, nuk mund të miratohet nga Kuvendi kur Ligji ende nuk ka hyrë në fuqi. Sipas tij, kryeministri nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punët e legjislativit.
“Me rregullore është procedimi sepse kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit. Ligji ka qenë në shqyrtim të dytë në Kuvend dhe nuk mundet askush të ndërhyjë në përgjegjësitë që i ka Kuvendi për të shqyrtuar ligje dhe çështje të tjera që janë në procedura të Kuvendit dhe e dyta që kërkon shmangie nga procedura. Platforma për Dialog është shqyrtuar në Komision për Politikë të Jashtme, një ditë përpara. Kërkohet së paku pesë ditë kohë për deputetë për ti dhënë rekomandimet e tyre eventuale para se të hyjë në seancë. Këto janë çështje procedurale ajo që është esenciale është përmbajtja e këtyre dy dokumenteve, pra natyra jo kushtetuese e këtyre dy dokumenteve”, pohoi Hoti.
Bashkë me Vetëvendosjen, këto dy parti opozitare në Kuvendin e Kosovës, janë duke bërë gati edhe dërgimin e këtyre dy ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, për të cilën, Hoti pretendon se ajo do të vendos për shkelje të aktit më të lartë juridik.
“Po përgatitemi që bashkë me pjesën tjetër të opozitës të dërgojmë këtë ligj në Gjykatë Kushtetuese dhe unë besoj që vendimi do të jetë i Gjykatës që ky ligj është në shpërpushje me Kushtetutën e vendit. Ne duhet të mësohemi, mendoj që si spektër politik që të respektojmë rregullin institucional që ka Kuvendit, Kushtetutën e vendit dhe të dakordohemi për një proces kaq të rëndësishëm që Platforma e Ligj për Dialog është vetëm Kushtetuta dhe ligjet e vendit dhe të dakordohemi që Kosova mund të përfaqësohet në këtë proces jo me pseudo-ekipe të dialogut por vetëm më një qeveri që ka legjitimitet politik”, bëri të ditur Hoti.
Hoti ka thënë se iu ka kaluar koha ekipeve dialoguese, madje anëtarët e këtij ekipi, i ka quajtur si njerëz, pa fuqi politike dhe pa legjitimitet qytetar.
Të mërkurën Kuvendi i Kosovës i dha dritën e gjelbër ligjit për kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë e delegacionit shtetëror për bisedime në Serbinë, po ashtu pas shumë tentimeve votoi edhe Platformën për përfshirje në këto bisedime.