Askush nuk po merr përgjegjësi për dështimin e liberalizimit të vizave.
Qeveritarët kosovarë nuk e kanë në plan të marrin përgjegjësi për dështimin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian gjatë këtij viti, ashtu siç kishin premtuar vazhdimisht.
Kërkesat e opozitës për dorëheqje s’po përfillen.
Kurse ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se çështja e vizave të Kosovës nuk ka asnjë arsye legjitime që të mos jetë në agjendën e Këshillit të Ministrave, prandaj BE-ja po i bën padrejtësi Kosovës.
“Nuk ka asnjë arsye që kjo të ndodhë përpos që BE-ja dhe institucionet e saj nuk po i respektojnë rregullat e procedurat e veta. Nuk ka interesim nga BE-ja dhe nga vendet anëtare që t’i mbajnë premtimet e veta dhe kjo situatë po ndëshkon qytetarët e vendit tonë”, ka thënë Hoxha për “Zërin”
Sipas saj, situata e krijuar me vizat është si pasojë e paaftësisë së BE-së për t’i mbajtur premtimet e veta.
“Përgjegjësia e institucioneve të Kosovës ka mbaruar në momentin që Komisioni Evropian ka konfirmuar plotësimin e të gjitha kritereve nga Udhërrëfyesi. Kosova nuk mund të bëjë më shumë sesa t’i plotësojë 95 kriteret që i janë kërkuar. Vendimmarrja u takon institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare. Në këtë fazë e gjithë përgjegjësia bie mbi BE-në dhe mbi paaftësinë e tyre që ta mbajnë premtimin dhe t’i respektojnë rregullat, të cilat i kanë vënë vetë ata”, ka thënë ajo më tutje.
Hoxha ka theksuar se në fazën të cilën ndodhemi ku institucionet përkatëse të BE-së nuk na kanë njoftuar asgjë zyrtarisht është e vështirë të prognozohet se çfarë do të ndodhë me vizat e Kosovës.