Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin PS.nr.58/2021 kundër të akuzuares S.SH. për shkak të veprës penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, e akuzuara S.SH. është shpallur fajtore dhe është dënuar me dënim me kusht, duke ia vërtëtuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) viteve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara brenda afatit të verifikimit prej tre (3) viteve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale.
Nëse e akuzuara S.SH. gjatë kohës së verifikimit kryen një apo më shumë vepra penale, dënimi me kusht i shqiptuar mund të revokohet, ashtu që në dënimin e vërtetuar me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) viteve, do të llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, nga data 17.07.2021 deri më 16.08.2021.
Po ashtu e akuzuara S.SH. është urdhëruar nga gjykata që të përmbushë detyrimin – vizitë tek psikologu ose tek këshilluesit tjerë dhe veprimet në pajtim me rekomandimet e tyre dhe atë në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.