Zgjim Hyseni, anëtar i kryesisë në PSD, ka thënë se partia e tij e përkrah kërkesën e sindikatave për rritjen e pagës minimale në Kosovë në 250 euro.
Hyseni ka thënë se është krijuar një dallim i madh me rritjen e pagave në sektorin publik, derisa në atë privat përveç pagës së ulët nuk ka as siguri.
“Është krijuar një dallim, sidomos me rritjen e pagave, i cili shprehet në të ardhura. Kemi dallim sa i përket të ardhurave por nuk kufizohet vetëm këtu. Dallimi shtrihet edhe në kushtet e punës, e siguria në punë e cila është më e madhe në atë publik. Në atë privat përveç rrezikut në punë mund të dalësh edhe nga puna pa dhënë kush përgjegjësi”, është shprehur Hyseni.
Mos funksionimi në aspektin sindikal iu mundëson këtë biznesmenëve, sipas Hysenit. E sipas tij në mënyrë të vazhdueshme shteti i saboton dispozitat ligjore.
“Në Kosovë janë vetëm 70 inspektorë. Qeveria po bën shkelje të ligjit, paga minimale duhet të shqyrtohet për çdo vit. Për herë të fundit është caktuar më 2008, e cila është 130 deri në moshën 35 vjeçare, e 170 mbi këtë moshë. Kemi kërkuar të hiqet kjo ndarje pasi është diskriminim. Çmimet janë rritë, e paga minimale ka mbet e njëjtë, e rrjedhimisht ajo është zvogëluar”, u shpreh ai.
Hyseni ka shtuar se shpërndarja që bëhet aktualisht po krijon pabarazi, pasi një pjesë e njerëzve po përfitojnë kurse disave vetëm po iu keqësohet jeta.
Ai thotë se paga minimale nuk përmbush as nevojat bazike për jetë.
“Kemi kërkuar, si PSD, përshtypja ime është se i njëjtë qëndrim është edhe i sindikatave, që të hiqet kjo lidhje me pagën minimale dhe pagave të veteranëve në mënyrë që të hiqet kjo ngarkesë buxhetore. Është e padrejtë të kërkohet që ata që janë të shkelur ta bartin barrën e një politike klienteliste që është bërë me veteranët. Paga minimale nuk i përmbush as nevojat bazike për jetë. Kostoja e jetesës nuk përballohet me këtë pagë minimale, e kjo duhet të ndryshojë. E rritja që është bërë në sektorin publik ka bërë kjo shtresë të jetë e harruar nga shteti”, ka thënë ai.
Hyseni ka shtuar se rritja e pagës minimale duhet të kombinohet me rritjen e vendeve të reja të punës. Duhet të ketë politika të punësimit.
“Nëse shohim efektet që ka pasur paga minimale në vendet e tjera, shihet se 90 për qind e shteteve e përdorin këtë. Kurse tani ka filluar të quhet edhe “paga për jetesë”, që ka pasur efekt pozitiv”, ka thënë Hyseni, në “Express Intervistën”.
E shqetësuese për të është shkelja që bëhet ndaj grave, të cilat kanë pagë shumë të ulët edhe ato që janë të punësuara.
Hyseni ka konfirmuar gjithashtu se PSD-ja do ta përkrahë kërkesën e sindikatave për rritjen e pagës minimale në 250 euro.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese, mbi 37 për qind të grave që punojnë paguhen me 125 euro në muaj.
Zhvillimi ekonomik shkon krah përkrah me mirëqenien. E zhvillimi ekonomik nuk është vetëm sa është rritë GDP-ja. Model i zhvillimit nuk është përparësia e një vendi me fuqi të lirë punëtore. Në takimin e sotëm sindikatat kanë kërkuar që niveli i pagës minimale të jetë 250 euro dhe për ta nuk ka asnjë negocim tjetër. Ne (PSD-ja) do ta mbështesim kërkesën e sindikatave edhe në seancë plenare”, ka thënë ai.