Një drejtues automjeti është arrestuar nga policia me akuzën e mitdhënies.
Në pranga ka rënë shtetasi V.B., 22 vjeç, banues në Pejë të Kosovës, pasi i ka ofruar ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore me qëllim shmangien e masës administrative.
“Ky shtetas në aksin rrugor Durrës-Plepa, ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke drejtuar mjetin e tij tej normave të lejuara të shpejtësisë, konstatuar nga agjenti verifikues me Radar, dhe gjatë momentit të ndalimit i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore së bashku me dokumentacionin dhe 30 euro, me qëllim shmangien e masës administrative”, thuhet në njoftimin e bërë nga policia.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.