Veterani i luftës, Jake Orta, 56-vjeç, i cili pas 12 viteve shërbim në ushtrinë amerikane dhe që mbeti i pastrehë, thotë se fiton rreth 300 dollarë në javë duke “gërmuar” nëpër mbeturinat e miliarderit Mark Zuckerberg, shkruan New York Times.
Orta jeton në një apartament që ia kanë dhënë në shfrytëzim autoritetet lokale në San Francisko, e vetëm tre blloqe më larg banon themeluesi i Facebook, Mark Zuckerbeg, që posedon një vilë që kapë vlerën e 10 milionë dollarëve, transmeton Telegrafi.
Në apartamentin e Ortas mund të gjenden gjësende të ndryshme nga thithësja elektrike, tharësja e flokëve e deri të aparatet për kafe, e të gjitha këto i ka mbledhur nga kontejnerët e mbeturinave të Zuckerberg.
“Habitem me faktin se çfarë gjëra hedhin në mbeturina njerëzit. Kurrë nuk e dini se çfarë mund të gjeni”, ka deklaruar Orta derisa po “gërmonte” në kontejnerë dhe nga ato nxori xhinse, pallto, atlete dhe pompë për fryrjen e gomave të biçikletës, që të gjitha prodhim i markave të njohura botërore.
Edhe pse “gërmimi” nëpër kontejnerë të mbeturinave është i ndaluar me ligj në Kaliforni, megjithatë nuk janë të rralla rastet kur ky ligj shkelet. Orta me rishitjen e gjësendeve arrin të fitojë në ditë nga 30 deri në 40 dollarë. Ky veteran nuk është i vetëm që në këtë mënyrë fiton për kafshatën e gojës.
Megjithatë, Orta pranon se duhet t’i përmbahet disa rregullave para se të vendosë që të “gërmojë” nëpër kontejnerë. Duhet të sigurohet që brenda nuk ka ndonjë kafshë që mund t’ia rrezikoj jetën duke e sulmuar. Deri më sot ka arritur të gjej telefona mobil, iPad, tri orë dore dhe një qese të najlonit me marihuanë. Këtë të fundit e ka mbajtur për vete, derisa pajisjet teknologjike i ka shitur.
Shumë persona e në veçanti të pasurit, nuk mendojnë për gjësendet që i hedhin në mbeturina e lëre më për procesin e riciklimit. E shumë qytetarë konsiderojnë se Orta dhe shumë “kolegë” të tij kryejnë një obligim qytetar, pasi që gjejnë gjësende të vlefshme që do të përfundonin nëpër deponi, e në këtë mënyrë u japin jetë atyre.
Orta pranon së gjënë e preferuar që e ka gjetur nuk e ka shitur. Bëhet fjalë për koleksionin e gazetave nga e mbarë botë që ishin botuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.