Fjalë Kyçe

Ia vjedhin kompjuterin, dramaturgu i njohur kosovar i shkruan hajnit ‘ia kërkon një nder’

Ia vjedhin kompjuterin, dramaturgu i njohur kosovar i shkruan hajnit ‘ia kërkon një nder’

Dramaturgut Jeton Nezirajt i është vjedhur kompjuteri. Ditë më parë, siç tha vetë ai, dikush i hyri në shtëpi dhe i vodhi kompjuterin.

I mbetur pa zgjidhje tjetër, Neziraj ka zgjedhur llogarinë e tij në Facebook, për të komunikuar me atë që e vodhi. Aty ai i ka shkruar hajnit “duke i kërkuar një nder”.

Neziraj kërkon që nëpërmjet e-mailit t’i rikthehet një poezi e tij e shkruar kohë më parë, e cila siç tha vetë ai, ishte në kompjuter bashkë me dhjetëra shkrime të tjera.

“Aty, mes atyre qindra fajlave, në kompjuter

e ke një poezi me titull “Pa titull”

Atë poezi e dua shumë, dhe ka shumë rëndësi për…

për të ardhmen e këtij vendi, më saktësisht”, shkruan Neziraj.

Shkrimi i plotë i Nezirajt në Facebook:

MIKUT TIM, HAJNIT TË PANJOHUR

I nderuari hajn i panjohur,

Para tri ditësh ke hyrë dhunshëm në shtëpinë time

dhe ke vjedhur kompjuterin tim personal

Kompjuterin po ta fali

bashk me charger-in, usb-në dhe krejt kabllot që kan qenë në qantë

Poashtu, po ta bëj dije se pasëordi i kompjuterit është: lumturia

po, të gjitha me shkronja të vogla

Por, të lutem mik, ma bëj një nderë!

Aty, mes atyre qindra fajlave, në kompjuter

e ke një poezi me titull “Pa titull”

Atë poezi e dua shumë, dhe ka shumë rëndësi për…

për të ardhmen e këtij vendi, më saktësisht

Kur e pata shkruar, kam qenë në njëlloj deliriumi

një prej atyre gjendjeve ku fjalët vijnë krejt tjerakah

nga forca jashtë nesh…

Ka tri ditë që po mundohem ta rishkruaj atë poezi

-por pa sukses, se më kan lëshuar nervat

s’kam fare inspirim e nuk po i gjej fjalët…

Të lutem, miku im hajn

ma kthe atë poezi,

është e shkurtër, rreth gjysmë faqe

flet për ca lule

për një vazo që thyhet

diku atje në axhencinë e ruajtjes së sekreteve shtetërore

dhe ka pasur një varg të poetit tonë kombëtar

që dikur i këndonte atdheut

“në këtë vend, as p… i macës nuk lëvizë”

e unë e pata ndryshuar pak,

se doja që gjithcka të lëvizte, edhe p… i macës.

Kompjuterin mbaje, është i yti, mbaj edhe dramat

tregimet, poezitë e shumta, analizat politike

po t’i fali esetë e reagimet e ashpra

komentet e 300 faqet e nisura të phd-së

mbaj të gjitha, i ke aty mbi dy mij foldera

me ndoshta rreth njëzet e katër mij fajla

argëtohu me to, luaj, qesh, fshij

bëj ç’të duash…

vetëm atë poezi…

Kërkoje aty, e ke, mos e humb durimin

te opcioni “search” shkruaje:

“lulet”

ose ‘lulja’

ose ‘vazoja’,

ose ‘axhencia’, apo ‘macja’,

ose ‘revolucioni’, ‘p…”… jam i sigurt që do ta gjesh…

dhe nisma në inbox, të lutem…

Dhe po s’e gjete, ndoshta mund ta rishkruash

s’është punë e madhe, mund ta bësh,

kam plot besim në ty, në ndjeshmërinë tënde poetike

o mik i dashur hajn

provo, e po s’ia dole, mos u ndje keq

se jo të gjitha gjërat mund t’i shkojnë përdore njeriut

Si do që të jetë, kushdo që e lexon këtë shpallje

Ju lus të provoni ta rishkruani atë poezi

kaq të domosdoshme për të ardhmen e këtij vendi

dhe ju lutem ma nisni pa hezitm

për cka, paraprakisht ju jam mirënjohës

I juaji, Izeti

Poeti i vjedhur

P.s. mos harroni:

një vazo, një lule,

një axhenci për ruajtjen e sekreteve shtetërore…

revolucioni, lumturia… macja… dhe le të jetë në fund një parashikim optimist

se gjithcka në këtë vend një ditë do të rregullohet,

dhe se një ditë, edhe p… i macës do të lëvizë.

(Jeton Neziraj)/express