Fjalë Kyçe

Ish-kryetari i Bordit të Trustit: Të shmanget praktika që të tërhiqen mjete nga Trusti për nevoja politike

Ish-kryetari i Bordit të Trustit: Të shmanget praktika që të tërhiqen mjete nga Trusti për nevoja politike

Vazhdojnë debatet nëse është e nevojshme apo jo një lejim i një tjetër tërheqje të mjeteve nga Trusti.

Së fundmi, ish-kryetari i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Ymer Havolli, është shprehur kundër një tërheqje tjetër të mjeteve nga Trusti.

Havolli ka thënë se kursimet e Trustit janë asete të atyre që i kanë kursyer ato mjete, derisa sipas tij, politikanët nuk duhet të gjejnë rrugëdalje te Kursimet Pensionale.

“Duhet të shmangim praktikën e presionit që sa herë që nevojiten para qoftë për kriza, qoftë për ndonjë aktivitet ekonomik, t’i mësyhet kursimeve të kontribuuesve në Trust. Nuk ka asnjë arsye që politikanët, duke i ngritur çështje të llojllojshme socio-ekonomike të kërkojnë rrugëdalje te Kursimet Pensionale. Këto kursime i përkasin vetëm atyre që i kanë kursyer, me një qëllim të vetëm për moshën e tretë të jetës së tyre. Prandaj, nuk kemi nevojë të ndjekim rrugën të tipit – prish shtëpi e mbaro hajat – e nga kursimtarët të krijojmë raste sociale me barrë edhe për shtetin edhe për familjet e tyre”, tha ai, përcjell Telegrafi.

“Me strategjinë e investimeve që ka ndërtuar Trusti ndër vite ka ndërtuar një portfoljo të këtyre kursimeve për investime në Kosovë. Këto investime janë bërë nëpërmjet Bonove të Thesarit, mjete të cilat Qeveria i ka përdor në bazë të prioriteteve që ka pasur” vazhdoi ai.

Ish-kryetari i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale, tha se deri më tani rreth 500 milionë euro nga mjetet e Trustit janë investuar në Kosovë.

“Deri më tani, për aq sa kam përcjellur, mjete nga Trustit të investuara në Kosovë janë rreth 500 milionë euro ose përafërsisht 25% nga kursimet e përgjithshme. Të drejtën për investime dhe menaxhim nga Kuvendi ekskluzivisht e ka bordi. Vlerësoj se ky bord nuk duhet të heshtë karshi këtyre iniciativave dhe as menaxhmenti. Ndërkaq, kursyesit në këtë fond duhet të kërkojnë rezultatet e arritura nga këto investime në Kosovë”, ka shkruar Havolli.

PDK dhe AAK janë shprehur pro që të lejohet edhe një tjetër tërheqje e parave nga Trusti.