Fjalë Kyçe

Ish-lideri katalonjas akuzon Spanjën: Pse të njihet Palestina e jo edhe Kosova

Ish-lideri katalonjas akuzon Spanjën: Pse të njihet Palestina e jo edhe Kosova

Carles Puigdemont, ish-lideri që udhëhoqi referendumin në Katalonjë, ka akuzuar shtetin e Spanjës për standarde të dyfishta, pasi kryeministri Pedro Sanchez të mërkurën njoftoi se do ta njohin shtetin e Palestinës.

Puigdemont ka thënë se përse Spanja ka vendosur ta njohë Palestinën e jo edhe Kosovën, “vend me të cilin Bashkimi Evropian ka marrëdhënie diplomatike”.

“Spanja ka njoftuar se do ta njohë shtetin e Palestinës në mes të një konflikti të armatosur që po trondit botën dhe mund të duket se shteti spanjoll është bërë tani mbrojtës i së drejtës të vetëvendosjes së popujve si mekanizëm për zgjidhjen e konflikteve. Një qëndrim që shumica e katalanasve e kanë mbrojtur gjithmonë. Por jo, nuk është kështu. Në fakt, Spanja është një nga vendet e pakta të Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës. Nuk ia njeh të drejtën evropianëve të Kosovës që të vendosin lirisht për të ardhmen e tyre, pavarësisht se Bashkimi Evropian tashmë ka marrëdhënie diplomatike me ta”, ka thënë Puigdemont në një video të postuar në “X”.

Ai ka kujtuar edhe ndihmën që Spanja ia jep Turqisë “për t’i shtypur kurdët”.

“Mbi të gjitha Spanja është shteti që shtypi referendumin demokratik të Katalonisë më 1 tetor 2017”, ka thënë Puigdemont.

Puigdemont ka theksuar se “populli palestinez ka të drejtën e vetëvendosjes si populli i Katalonisë”.

“Fatkeqësisht, ky standard i dyfishtë dobëson kredibilitetin e demokracive evropiane. Qe 6 vjet e gjysmë jam në ekzil sepse përndiqem nga shteti spanjoll”, ka thënë ai.

Puigdemont udhëhoqi referendumin e Katalonjës në vitin 2017, i cili u shpall i pavlefshëm nga Qeveria e Spanjës. Prej atëherë, jeton në Belgjikë pasi është i kërkuar nga autoritetet spanjolle.