Ushtria e Izraelit ka thënë se Irani ka lëshuar disa dronë drejt Izraelit të shtunën në mbrëmje. Zëdhënësi i Ushtrisë, Daniel Hagari, ka thënë se do të duhen disa orë që pajisjet të mbërrijnë në Izrael.
Ai ka thënë se Izraeli është i përgatitur.
Izraeli ka qenë në alarm që kur një sulm javën e shkuar vrau dy gjeneralë iranianë në Siri. Irani e ka akuzuar Izraelin se qëndron prapa sulmit dhe është zotuar për hakmarrje. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Një zyrtar amerikan, në kushte anonimiteti, ka thënë për Associated Press se Irani ka lëshuar “dhjetëra” dronë.
Ditë më parë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se sistemet e mbrojtjes janë aktivizuar dhe se ushtria e Izraelit është e gatshme.