Shpërthime dhe sirena për të paralajmëruar nga sulmet ajrore janë dëgjuar në orët e hershme të së dielës në Izrael, pasi Irani lansoi qindra dronë, raketa balistike dhe raketa lundruese në një mision të paprecedentë të hakmarrjes që shtyn Lindjen e Mesme më afër një lufte të gjerë rajonale, raporton agjencia “AP”.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite ka thënë se Irani lansoi në total mbi 300 dronë e raketa, por 99 për qind prej tyre u shkatërruan me ndihmën edhe të aleatëve.
Admirali Daniel Hagari e ka quajtur këtë “një sukses shumë të madh strategjik”. Irani lansoi 170 dronë, mbi 30 raketa lundruese dhe mbi 120 raketa balistike. Nga këto, disa raketa balistike arritën në territorin izraelit, duke shkaktuar dëme të vogla në një bazë ajrore.
Ekipet e shpëtimit kanë thënë se një vajzë shtatëvjeçare në qytetin Bedouin Arab në jug të Izraelit ka marrë lëndime serioze, pas shpërthimit të një rakete, ndonëse policia ende është duke hetuar rrethanat se si u lëndua ajo.
Në Washington, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se forcat amerikane kanë ndihmuar Izraelin të rrëzojë “gati të gjithë” dronët dhe raketat iraniane dhe ka thënë se do t’i mbledhë aleatët për të bërë një reagim të unifikuar.
Sulmi iranian, më pak se dy javë pasi në një sulm të dyshuar izraelit në Siri u vranë dy gjeneralë iranianë brenda Konsullatës së Iranit, ka shënuar herën e parë që Irani lansoi sulm direkt ushtarak ndaj Izraelit, përkundër dekadave armiqësi që datojnë nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Ushtria izraelite ka thënë se disa nga lansimet u bënë nga Iraku dhe Jemeni.
“Ne kemi shkatërruar, kemi bllokuar dhe do të fitojmë së bashku”, ka thënë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një postim në platformën “X”.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një seancë emergjente të dielën.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Hagari, ka thënë se shumica e dronëve e raketave iraniane u shkatërruan jashtë kufijve të Izraelit, përfshirë 10 raketa lundruese që u shkatërruan nga aeroplanë ushtarakë.
“Sulmi i shkallës së gjerë nga Irani është përshkallëzim i madh. Ushtria do të bëjë çfarëdo që të jetë e nevojshme për ta mbrojtur sigurinë e shtetit të Izraelit”, ka thënë Hagari.
Ai ka thënë se dhjetëra aeroplanë ushtarakë izraelitë janë ende në gatishmëri për të bllokuar sulmet.
Ushtria e Izraelit ka thënë se sistemi i saj “Arrow”, ka bërë pjesën më të madhe të bllokimeve dhe ka thënë se “partnerët strategjikë” po ashtu janë përfshirë.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se falë “shkathtësive të jashtëzakonshme të ushtarëve amerikanë, u ndihmua Izraeli të rrëzoi gati të gjithë dronët e raketat” iraniane.
Biden ka zhvilluar në orët e hershme të së dielës një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
E sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, ka dënuar sulmin dhe ka thënë se “SHBA-ja nuk do të hezitojë ta përkrahë mbrojtjen e Izraelit”.
Irani kishte paralajmëruar hakmarrje për sulmin e 1 prillit në Siri, për të cilin e akuzoi Izraelin. Izraeli nuk e kishte komentuar sulmin.
Irani e kishte quajtur sulmin e të shtunës si “Operacioni Premtimi i Vërtetë”.