Ushtria izraelite ka thënë se është vrarë komandanti i lëvizjes palestineze “Xhihadi Islamik”, Hussam Abu Harbeed, në sulmet me raketa të hedhura në Gaza.
Në një deklaratë ku konfirmoi vrasjen e tij, ushtria e Izraelit ka thënë se Harbeed “ishte prapa disa sulmeve terroriste me raketa anti-tank kundër civilëve izraelitë”, njofton Klan Kosova.
Lufta atje hyri në javën e dytë pa asnjë shenjë se do t’i jepet fund armiqësive më të ashpra në rajon ndër vite, me gjithë shqetësimin ndërkombëtar në rritje dhe thirrjet për armëpushim, shkruan Reuters.
Vdekja e Harbeed mund të sjellë një kundërpërgjigje të ashpër nga grupi militant që po lufton së bashku me Hamasin.
Të paktën tre palestinezë u vranë nga sulmi ajror izraelit në një makinë në qytetin e Gazës sot. Kjo u bë e ditur nga zyrtarët mjekësorë.
Së paku 198 njerëz, përfshirë 58 fëmijë, janë vrarë në Rripin e Gazës që kur dhuna shpërtheu një javë më parë. Më shumë se 1300 palestinezë janë plagosur.
Ushtria izraelite tha se militantët e Gazës kishin hedhur rreth 60 raketa drejt Izraelit brenda natës.