Masat që prekin fluturimet nga Zvicra dhe për në Zvicër, së shpejti do të kenë një zbutje. Këshilli Federal do të kumtojë njoftimin të mërkurën që vjen, më 27 maj.
Por, përderisa fluturimet sigurisht do të shpeshtohen, mbetet shija e hidhur e masave të cilave duhet t`u përmbahen ata që vendosin të fluturojnë.
Një dokument i Këshillit Federal kushtuar kësaj problematike ka rreth 30 faqe ndërsa Gazeta “SonntagsZeitung” e ka siguruar këtë dokument.
Kriteret për fluturim, të cilat, sipas gazetës i parashikon dokumenti në fjalë shumëkujt do t`ia zbehin dëshirën për të fluturuar.
Bëhet fjalë për udhëzimet brenda një koncepti të mbrojtjes që Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit (EASA) e ka përpiluar së bashku me Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, transmeton albinfo.ch.
Kushtet ose ndalesat, kanë të bëjnë më së shumti me moslejimin e personave të infektuar për të hipur në aeroplan.
Kështu, për të mos lejuar që personat e infektuar të hipin në aeroplan, EASA rekomandon, për shembull, një masë drastike në politikën e çmimeve të kompanive ajrore: Pasagjerët, me një certifikatë mjekësore do të kenë të drejtë të anulojnë ose të riorientojnë falas biletën e tyre, deri në gjashtë orë para nisjes.
Për të parandaluar rrezikun e infeksionit, qasja në terminale do të jetë e kufizuar, ekskluzivisht për pasagjerët dhe punonjësit, përcjell albinfo.ch. Personat shoqërues lejohen vetëm në raste të jashtëzakonshme.
Maskat do të mund të blihen nga automatët. EASA rekomandon të vini maskën gjatë fluturimit.
Kalimi mbi urën e pasagjerëve, nga aeroporti deri në aeroplan dhe anasjelltas, duhet të bëhet në grupe të vogla.
Kabina e avionit duhet të pastrohet më shpesh.
Të gjitha ushqimet duhet të shpërndahen vetëm të paketuara.
Kompanitë ajrore duhet t’i informojnë udhëtarët se duhet të kenë disa maska me vete gjatë fluturimeve të gjata.
Që tani, në Aeroportin e Cyrihut lejohet vetëm një person që ta presë një pasagjer pas mbërritjes.
Punonjësit e kompanive ajrore duhet të ndërrojnë uniformat e tyre çdo ditë.
Sipas EASA, ata që nuk respektojnë rregullat e përmendura do të përballen me pasojat, përcjell albinfo.ch.
Në këtë kontekst, është fare lehtë e mundshme që, për shembull, t`i ndalohet një pasagjeri hyrja në terminal në rast se nuk ka maskë me vete.