Ekipi negociator ka 10 ditë që e ka dorëzuar platformën për dialogun me Serbinë në Kuvendin e Kosovës. Për të ende nuk është caktuar seancë plenare, por ka gjasa që ajo të dalë për votim të enjten.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka pohuar se ende nuk është caktuar seanca për platformën, por ka sqaruar se pas shqyrtimit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme ka gjasa që në seancën e ardhshme, e cila është të enjten (më 28 shkurt), të futet në rend dite, shkruan “Zëri”.
“Ditën e enjte kemi seancë dhe në qoftë se kërkohet që të futet në rend dite në atë seancë, atëherë mund të përfshihet. Për shqyrtimin e saj besoj se mjafton komisioni funksional që është për politikë të jashtme e pastaj të tjerët mund ta marrin fjalën në Parlament”, ka thënë Haliti.
Dje Komisioni për Punë të Jashtme e ka shqyrtuar këtë platformë, e cila nuk arriti të votohet për shkak të mungesës së kuorumit. Në atë mbledhje janë ngritur shumë shqetësime nga ana e deputetëve të opozitës në lidhje me dokumentin e ekipit negociator. Në platformën për dialogun në një nga parimet e pikave përmendet që të dialogohen në Bruksel çështjet e hapura mes Kosovës e Serbisë, gjë e cila është e papranueshme edhe për opozitën, por edhe për analistët politikë.