Muaji dhjetor, i cili ndryshe njihet edhe si muaji i festave ka sjellë në qytetet e Kosovës shumë drita e atmosferë festive. Të shumtë kanë qenë qytetarët të cilët janë dëshpëruar me vonimin e dekorimit të kryeqytetit, Prishtinës, por për këtë vonesë, Komuna e Prishtinës ka një përgjigje.
Atmosfera festive ka filluar të ndihet anë e kënd Kosovës, por kryeqytetit deri më tani i kanë munguar dritat të cilat japin ndjesinë e festave.
Me pak vonesë, tashmë dekorimi i Prishtinës ka filluar, ndërkaq komuna thotë se ka arsye për këtë dekorim të vonshëm të kryeqytetit. Ata thonë se kjo u bë për shkak të ankesës së një kompanie e cila nuk e fitoi tenderin për dekorimin e qytetit.
“Komuna i ka nda 75 mijë euro për dekorim, ndërkaq tenderin e ka fitu një kompani e cila do ta dekorojë Prishtinën me shumën prej 54 mijë eurosh. Kompania e dytë e cila ka qenë më çmim më të lartë është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. OShP ka marr vendim të enjten e kaluar, dhe menjëherë në ditën e nesërme e kemi nënshkruar kontratën. Aktualisht po punohet në sheshet kryesore, dhe presim që pas pak ditëve të përfundojnë punimet dhe të ndizen dritat”, ka thënë Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri për Express.
Ndërkaq këtë vit përveç pjesës së sheshit nga “Zahir Pajaziti” deri tek “Ibrahim Rugova”, do të dekorohet edhe sheshi “Adem Jashari”.